Lajmet e rejaMaqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Dimitrievski sqaron shtyllat e programit zgjedhor

Zgjedhja e presidentit në Kuvend e shkel direkt Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, por edhe Kushtetutën, thotë kandidati presidencial nga Lëvizja ‘E di”, Maksim Dimitrievski. Duke prezantuar programin e tij, Dimitrievski tregoi se pse është kundër ndryshimeve kushtetuese dhe ofertës së partive shqiptare që presidenti i shtetit në të ardhmen të zgjidhet në Kuvend. Në rast se sillet një vendim që i pari i shtetit të zgjidhet në Kuvend, ai mendon se vendi atëherë nuk do të ketë aspak nevojë për institucionin President. Sipas tij, edhe pse shteti ynë është republikë parlamentare dhe fuqia duhet të burojë nga aty, situatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjithmonë dirigjohet nga pushteti ekzekutiv.

“Nuk e dimë që ka një rast që Kuvendi të kthejë mbrapsht një ligj që ka shkuar si propozim nga Qeveria. Ndërsa as nuk kemi pasur rast që presidenti të propozojë ndonjë zgjidhje të mundshme ligjore. Presidenti zgjidhet nga sovraniteti që qytetarët i japin funksionit që të jetë president i të gjithë qytetarëve që t’i përfaqësojë të njëjtit. Po ashtu i jep fuqi shtesë institucionit President. Ndërsa unë si demokrat me bindje demokratike, jam i gatshëm gjithmonë të debatoj edhe publikisht dhe t’i dëgjoj mendimet e opinionit lidhur me këtë propozim. Por, mendoj se dikush fshehurazi mundohet të imponojë një narrativë të ri në shtet me të cilin do të ridefinohet karakteri i Maqedonisë.”, – deklaroi kandidati për president i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski.

Edhe Dimitrievski i fton në duel televiziv kundërkandidatët e tij presidencial. Sipas tij, qytetarët kanë nevojë të ballafaqojnë planet dhe programet e kandidatëve presidencial, që ta kenë më lehtë të vendosin se për kë do të votojnë në ditën e zgjedhjeve./TVM2