Zgjedhjet lokale, trefish më shumë firma për të pavarurit
Të gjitha partitë janë marrë vesh për ndryshim të Kodit Zgjedhor, pohon kryeministri Zoran Zaev. Ndryshimi që paralajmërohet pak para zgjedhjeve lokale, është rritja e pragut për mbledhjen e nënshkrimeve për lista të pavarura të kandidatëve për këshilltarë dhe kryetarë të komunave. Pas paralajmërimeve në opinion, se kandidatë të pavarur kanë interes të garojnë në zgjedhje, partitë pas një muaji bisedime, janë marrë vesh të intervenojnë në numrin e nevojshëm për grumbullimin e nënshkrimeve.
“Absolutisht nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje mes LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së, këtu ishin edhe Aleanca, këtu ishin edhe “E Majta” dhe i shikoj komentet, ishin të gjithë që morën pjesë në vetë Propozim ligjin, në fund ligji miratohet në Kuvend dhe sigurisht aty mund të hapet debati që është përkatës”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Zaevi sqaroi në mënyrë matematikore, çfarë do të thonë ndryshimet që i kanë kontraktuar, siç shprehet, të gjitha partitë parlamentare në Kuvend.
Është përcaktuar prag, propozim nga grupi punues deri te Kuvendi, prej dy për qind. Dy për qind do të thotë, dhjetë mijë zgjedhës, duhet të mbledhin 200 nënshkrime. Njëqind mijë zgjedhës, dy mijë nënshkrime“, theksoi Zoran Zaev, kryeministër.
Derisa kryeministri flet për nënshkrime nga zgjedhës të regjistruar, Kodi Zgjedhor në nenin 62 për parashtrues të listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit thekson se nënshkrimet mblidhen sipas madhësisë së komunës ose numrit të banorëve. Kështu, në komuna me deri dhjetë mijë banorë, deri tani nevojiten vetëm 100 nënshkrime. Për komunë me 100 mijë banorë nevojiten 350 nënshkrime, ndërsa në komunat me mbi 100 mijë banorë 450 nënshkrime. Për të mbledhur nënshkrime për kandidim të pavarur në Qytetin e Shkupit, sipas Kodit ekzistues Zgjedhor, nevojiten një mijë nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në territorin e qytetit. Me ndryshimet që i paralajmëroi kryeministri, krahasuar me Listën e zgjedhësve nga zgjedhjet lokale në vitin 2017, do të nevojiten 8767 nënshkrime ose 2 për qind të 438.352 zgjedhësve të regjistruar në territorin e kryeqytetit. Nga Lidhja Demokratike paralajmëruan se e bllokojnë votimin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke parashtruar mijëra amendamente.