Kandidati i pavarur për Gostivarin, Visar Ademi premtoi që do të bëjë vlerësimin e performancës së çdo të punësuari në komunë dhe do të pushohen ata që nuk janë produktivë. Ai premtoi tërheqje nga detyra nëse qytetarët nuk janë të kënaqur me punën e tij duke thënë se qëllimi i tij është transformimi i tërësishëm i qytetit. Ademi tha se do të investojë tek të rinjtë që të krijohen mundësi për zhvillimin dhe vetëpunësimin e tyre.

“Do të mundohem që tre pikat kryesore, pastrimin nga mbeturinat, nga qentë endacakë dhe nga personat përtacë që rrinë në kafe, në piceri, nëpër kafeteri dhe nuk shkojnë në punë, do të përfundojnë. Nuk do të ketë më njerëz të cilët nuk janë produktivë. Por, si do t’i vlerësoj ata unë për punën e tyre? Ata do të më vlerësojnë mua dhe qytetarët do të më vlerësojnë mua. Pas një viti do të bëj një referendum. Në qoftë se dikush nga unë është i pakënaqur, unë do ta dhuroj rrogën time për kauza sociale. Në vitin e dytë, në qoftë se e marr vlerësimin e njëjtë, unë do të tërhiqem nga pozicioni. Po ua premtoj se nuk do të pres të ketë zgjedhje”, deklaroi Visar Ademi, Kandidat i pavarur për Gostivarin. /Alsat.mk

sqShqip