May 5, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet 2024, Jakimovski pranon humbjen e presidencialeve

Pas rezultateve të mbrëmshme të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, lideri i GROM-it, Stevço Jakimovski, i cili ishte edhe njëri nga shtatë kandidatët garues për në Villa Vodno, përmes një presskonference pranoi humbjen e zgjedhjeve presidenciale. Ai është i befasuar negativisht nga rezultati që ka arritur ai si kryetar i GROM-it dhe koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë”, por se duhet pranuar, pasi që kështu kanë vendosur qytetarët.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë, ju qoftë me fat përzgjedhja, me fat këto zgjedhje të 7-ta presidenciale. Unë e mbaj këtë konferencë për shtyp, me qëllim që të pranoj humbjen në këto zgjedhje presidenciale dhe të uroj udhëheqjen e zonjës Gordana Siljanovska – Davkova, si dhe t’i uroj fat në rrethin e dytë zgjedhor. A janë rezultatet të kënaqshme për mendimin tim, sigurisht që nuk janë. Ata janë larg pritshmërisë. Megjithatë, është e rëndësishme që qytetarët e Republikës së Maqedonisë kishin një zgjedhje, ata zgjodhën mes shtatë kandidatëve të tyre. Do të shohim nëse kanë pasur të drejtë në atë që kanë zgjedhur pas pesë vitesh, shpresoj që të gjithë të jemi gjallë dhe shëndoshë dhe pas pesë vitesh do të konstatojmë se a ka qenë zgjedhja e mirë apo jo.”, – deklaroi kryetari i GROM-it, Stevço Jakimovski.

Edhe pse Jakimovski është diskualifikuar nga gara presidenciale, koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë”, i udhëhequr nga ai, do ta vazhdojnë betejën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj. Koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë” në programin zgjedhor parlamentar parasheh rritje të pensioneve për pensionistët, zgjidhjen e çështjes së përmbaruesve, pasi sipas tyre ka rreth 200 mijë qytetarë, pensionistë dhe raste sociale të bllokuar në robërinë e borxheve. Kryetari i GROM-it, Jakimovski, po ashtu është zotuar se nëse fiton besimin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare dhe nëse bëhet pjesë e përbërjes së re qeveritare, ai dhe partia e tij do të iniciojnë të ndërtohen qendra të reja gjeriatrike për përkujdesjen e të moshuarve në nevojë. Në lidhje me çështjen e ndryshimeve kushtetuese, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe negociatat me Bashkimin Evropian, qëndrimi i Jakimovskit se çështja e identitetit dhe gjuhës nuk duhet të diskutohen, ndërsa nëse nuk hyjmë në BE deri në vitin 2030, Maqedonia duhet të kërkojë rrugën tjetër.