Zëvendësministri Abedini nga Alternativa ngjallë shpresën e bujqve: Së shpejti njësi rajonale të Ministrisë së Bujqësisë edhe në Likovë
Zëvendësministri i Bujqësisë, Abdylshyqyr Abedini, dje qëndroi në Komunën e Likovës, ku pati takime me bujqit e kësaj ane. Vizita e tij ishte për t’i dëgjuar hallet dhe kërkesat e këtyre bujqve, që ka kohë që nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit dhe janë lënë në harresë.
Ankesat e bujqve kishin të bëjnë me vonesën e pagesës së subvencioneve, por edhe me mungesën e sistemit të vaditjes funksionale. Përveç kësaj, bujqit u ankuan edhe se ke abuzime me përfitimin e tokës bujqësore, ngase atë në shumë raste nuk e fitojnë bujqit e vërtetë, porse persona të tretë, të cilët pastaj ua japin me qira bujqve të vërtetë, por duke i ruajtur për vete përfitimet e subvencioneve që i ofron toka bujqësore. Për bujqit e Likovës si problem u shtrua edhe mungesa e informacionit në kohë për programet që i ofron Ministria e Bujqësisë.
Pasi i dëgjoi ankesat dhe kërkesat e bujqve, zëvendësministri Abedini u zotua se ai do të angazhohet me krejt kapacitetin e tij politik që këtyre bujqve t’u dalë në ndihmë. Ai e mori përsipër që pagesat e subvencioneve të kryhen në kohë, ta funksionalizojë sistemin e vaditjes, ndërsa u premtoi bujqve se është pranë arritjes së suksesit që edhe në Komunën e Likovës të hapet Njësi Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, me çka do të përmirësohet dukshëm edhe sistemi i informacionit, por edhe bujqit do të kenë qasje më të lehtë e më të shpejtë në ofertat e Ministrisë së Bujqësisë.
“Zhvillimi i Likovës ka qenë pjesë e marrëveshjes politike të Alternativës për t’u përfshirë në qeveri, andaj unë e kam detyrim nga kryetari Afrim Gashi që të kujdesem në mënyrë të veçantë për këtë komunë. Kam shumë shpresë që hapja e kësaj zyre të bëhet shumë shpejt dhe bujqit e Likovës të mos i kenë më këto ankesa.”, deklaroi me këtë rast zëvendësministri Abedini.
Veç tjerash, zëvendësministri Abedini premtoi se Ministria e Bujqësisë së shpejti do të hapë edhe disa programe për bujqit e rinj, me çka synohet të ndalet edhe shpërngulja e të rinjve nga Likova, që është një brengë e madhe e banorëve të kësaj ane.