Zekiri do të dhurojë 100.000 denar për luftën kundër lajmeve të rreme
Gjykata Themelore civile në Shkup e ka pranuar padinë për shpifje që e ka bërë Muhamed Zekiri kundër gazetarit Zoran Bozhinovski. Gjobën prej 100 mijë denarëve Zekiri planifikon ta dhurojë për luftën kundër lajmeve të rreme, transmeton gazeta LAJM.
Bëhet fjalë për një tekst të publikuar më 27 tetor të vitit 2020 në të cilin Bozhinovski shkruante se “Muki Zekiri dhe Erol Musliu me bashkëshortet e tyre janë përfshirë në “larjen” e 1,2 milion eurove nga një vend islamik… Sipas një deklarate që më kë arritur nga një anëtar i LSDM-së, deputeti i deridjehsëm dhe kandidat për funksion drejtori Muhamed Zekiri, krahas funksionit që ka kryer është marrë ehe me pagesëne shërbimeve “tarifim” për klientët e interesuar të cilët në rrugë të rregullt nuk kanë arritur qëllimin e dëshiruar… Burimi im pohon se Zekiri për punësime në policinë financiare ka marrë nga 2.000 euro dhurata. Por, nuk ka kryer punë dhe paratë nuk i’a ka kthyer klientëve të mashtruar…”
Gjykata konfirmoi përgjegjësi civile për Bozhinovskin për shpifje.
“Ky aktgjykim është dëshmi se kemi problem serioz me lajmet e rreme që plasohen nga kuazi gazetar. Bozhinovski është shembull klasik i një njeriu që përhap lajme të rrejshme dhe shpif për njerëzit. Duhet që në mënyrë energjike të ballafaqohemi me lajmet e rreme dhe shpifjet që në mënyrë të pakontrolluar përhapen nëpër rrjetet sociale dhe disa “portale” që për fat të keq e rrënojë imazhin e gazetarëve profesional. Gjobën që duhet ta paguaj i gjykuari Bozhinovski do ta dhuroj për luftën kundër lajmeve të rreme. Inkurajoj të gjithë që në mënyrë të njejtë si unë ishin apo janë viktimë shpifjeve apo lajmeve të rreme, të padisin. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për të fituar e vërteta”, tha për portalin MKD, Muhamed Zekiri.