Gjatë ditës së sotme, në pikëkalimin kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara brenda një automjeti.

Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë kanë selektuar automjetin për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.

Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.

“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.

Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 euro.

Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

sqShqip