May 5, 2024
Shqipëri

Zbulohen prapaskenat e negociatave PS-Rithemelimi për kthimin e Kuvendit në normalitet. Socialistët gati të pranojnë

Pas pesë muajsh bllokim të jetës normale të parlamentit vijnë sinjalet e para për shkrirjen e akullit mes shumicës socialiste dhe opozitës.

Burime nga grupi parlamentar i PS dhe PD konfirmuan për Top Channel se kanë nisur bisedime informale për të gjetur një zgjidhje.

“Jemi në bisedime por ende asgjë konkrete“-pohoi një burim i Top Channel nga shumica socialiste.
Si një ofertë e parë nga socialistët vjen pikërisht çështja e shumë-këmbëngulur prej opozitës shtatë komisionet hetimore parlamentare të mohuara.

Socialistët janë të gatshëm të shqyrtojnë riformulimet nga opozita të kërkesës për komisionet hetimore bazuar në ligjin e ri. Kjo gatishmëri e socialistëve e lë topin në fushën e opozitës e cila e ka kundërshtuar ligjin e ri të komisioneve hetimore duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese javën e shkuar.

Nëse do të arrihet një ujdi mes palëve për komisionet hetimore i hapet rruga një tjetër kërkese thelbësore të opozitës Berisha-Bardhi.

Në kushtet kur mandati komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore mbaron në mars, një rikonfirmim duke plotësuar edhe një vend vakant mund të plotësojë një kërkesë të Gazment Bardhit.

Uljen në këtë komisionin të Oerd Bylykbashit. Nëse kjo do të pranohet nga shumica socialiste atëherë i rrezikuari të mbesë jashtë këtij komisioni do të jetë Enkelejd Alibeaj.

Nëse negociatat mes palëve do të jenë produktive dhe me dakordësi si për komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore rezultati final është rikthimi në normalitet i parlamentit.

Nga ana tjetër një fuqizim i grupit Berisha Bardhi brenda parlamentit duke vendosur Lulzim Bashën dhe deputetët e tij mbështetës, në pozita aspak komode.