Nga 960 nxënës në vetëm 250! Një klithmë për një shkollë që po zbrazet, për familjet që po largohen dhe për një brez që po rritet larg vendlindjes. Në dy dekada, numri i nxënësve në shkollën fillore “Rexh Rushit Ajazi”, në fshatin Zajaz ka rënë me gati 74 për qind.
Këtë ndryshim e ka parë hap pas hapi Sulejman Dervishi, arsimtar me rreth 40 vite përvojë dhe ish-drejtor i shkollës. Ai ka përjetuar kalimin nga sistemi monist në pluralizëm, ka parë kohën kur shkolla nuk i nxinte nxënësit dhe me dhimbje kujton se si, ndër vite, ajo është zbrazur.
Pas kësaj rënieje qëndrojnë nataliteti, shpërngulja nga zonat rurale dhe, mbi të gjitha, emigrimi për arsye ekonomike.
“Numri i nxënësve sa vjen e bie. Nuk është çështja vetëm e migrimit, vjen në shprehje edhe nataliteti, lëvizjet që janë prej mjediseve rurale nëpër qytete dhe ajo më e dhimbshmja, lëvizjet që bëhen jashtë. Lëvizjet tona janë 99% për shkaqe ekonomike dhe kjo reflekton në punën tonë në përgjithësi dhe, përderisa flasim për arsimin, për shkak se fëmijët tanë lindin dhe rriten në shtetet e Evropës, Amerikë e gjithkundi.
Ne mund të gjejmë nxënës shqiptarë të regjistruar më tepër në një paralele të Gjermanisë sesa këtu në Zajaz”, tha Sulejman Dervishi, arsimtar para pensionimit.
Por zbrazja e shkollës nuk matet vetëm me numra. Ajo ndihet çdo shtator, kur një tjetër shok largohet dhe një bankë mbetet bosh. Familjarët ikin, por lidhjet mbeten të forta.
Nxënësit flasin me ta, i presin kur kthehen dhe ende shpresojnë se një ditë do të rikthehen përgjithmonë.
“Çdo shtator kemi shokë dhe shoqe të cilët emigrojnë për kushte më të mira. Unë, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, ku jam aktualisht, kam pasur shumë shokë që kanë emigruar në Gjermani ose në Zvicër për kushte më të mira jetese. Mua më mungojnë shumë, sepse jemi mësuar me ta, i njohim dhe kemi shoqëri shumë të mirë. Akoma ruajmë marrëdhënie dhe shoqëri shumë të mira.
Sa herë që ata kthehen në vendlindje, ne dalim dhe kemi kontakte të vazhdueshme”, tha një nxënëse e SH.F. “Rexh Rushit Ajazi” në fshatin Zajaz të Kërçovës.
“Unë kam shumë familjarë që kanë shkuar në emigrim në Evropë. Ata janë shumë të dashur për ne dhe mbajmë vazhdimisht kontakte me ta dhe nuk harrohen. Shtëpitë kanë mbetur bosh, prandaj nuk ka shumë nxënës në shkollë, as në fshatra e as në qytet, dhe neve na mungojnë shumë. Unë shpresoj që një ditë ata të kthehen përsëri”, u shpreh një tjetër nxënëse.
Në fjalët e nxënësve fshihet dhimbja pas shpresës, por shfaqet realiteti i ftohtë i një njeriu që i ka kushtuar mbi katër dekada arsimit.
Sulejman Dervishi i ka humbur shpresat se një ditë do të kthehen ata që janë larguar. Për të, beteja është tjetër: të gjenden mënyra për të mbajtur këtu ata që kanë mbetur. Sipas tij, ndalimi i kësaj vale migrimi do të ishte një sukses i madh.
“Cilat do të ishin veprimet dhe mundësitë tona, jo për t’i rikthyer më ata nxënës, kjo është e pamundur sepse jemi para aktit të kryer. Por pyetja është si të veprojmë me këta që kanë mbetur, për t’i ndalur këtu? Edhe këta që kanë mbetur janë një numër i madh i nxënësve që, për fat të keq, shoh se vijnë nga prindër që janë raste sociale. Unë dua të rikthehen deri në një, por nuk kam shpresa, pasi nuk është lëvizur asnjë milimetër rreth kësaj çështjeje.
Ne duhet t’i ndalim, pasi ka mundësi dhe forma, por shoqëria është jofunksionale dhe ky të jetë një mesazh për njerëzit që janë të zgjedhur për rregullimin e kësaj çështjeje. Është sukses i madh nëse e stopojmë”, deklaroi Sulejman Dervishi.
Në Zajaz, çdo bankë e zbrazët tregon historinë e një familjeje që është larguar. Korridoret që dikur gumëzhinin nga zërat e fëmijëve, sot përballen me një heshtje që bëhet gjithnjë e më e madhe, ndërsa ka mbetur vetëm një dëshirë: të kenë arsye për të qëndruar ata që janë këtu.

