May 15, 2024
Maqedoni

Xheladin Murati: Tre arsyet se përse mësimi online nuk ishte edhe aq i suksesshëm

Profesor Xheladin Murati në emisionin “ENTER” ka thënë se ai nuk është i bindur se mësimi online që u zhvillua kohën e fundit për shkak kovid-19 ka treguar rezultate. Megjithatë tha se ajo është një faktor i rëndësishëm që nxënësit të mbeten në një lidhje mobile me mësimin.

“Nga ana e ministrisë flitet në superlativë se në 95 për qind ka qenë efikase, ndërsa praktika e demanton këtë ngase mësuesit dhe nxënësit nuk janë të kënaqur me realizmin për shumë arsye. Në radhë të parë se janë të papërgatitur për të realizuar një koncept të tillë arsimor, e dyta mungojnë pajisjet elektronike nëpër shkolla, e treta mësuesit në një shpejtësi të madhe u aftësuan për të zhvilluar mësim të në mënyrën e tillë, por mësimi me prani fizike të nxënësve është krejtësisht tjetër gjë”, tha profesori Xheladin Murati.

Ai tha se mënyra e mësimit pa prezencë fizike mund të krijojë një individualizim të tepërt, dhe pakënaqësie te nxënësit.

“Një stres që nuk çon në favor në afirmimin e vetive pozitive të nxënësit, individit dhe familjes”, tha ai.

Ai tha se sa më shpejt duhet të kalohet në mësimin fizik që është shumë më efikase. /SHENJA/