Një xhami shqiptare në qytetin Hollabrunn të Austrisë është sulmuar me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës, pak para mesnatës, njoftoi Komuniteti Shqiptar i Bashkësisë Islame të Austrisë (ALKIG).

Sipas një deklarate nga komuniteti, në momentin e incidentit në objekt nuk ka pasur besimtarë dhe si rezultat nuk ka të lënduar.

Komuniteti e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë dhune ndaj një institucioni fetar dhe kërcënim serioz për sigurinë e komuniteteve fetare, bashkëjetesën paqësore dhe rendin demokratik në shoqërinë austriake.

Në deklaratë u bëhet thirrje organeve kompetente të sigurisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për një hetim të plotë dhe të shpejtë të incidentit, identifikimin e autorëve dhe garantimin afatgjatë të sigurisë së institucioneve fetare.

" "

Gjithashtu, komuniteti apeloi ndaj zyrtarëve politikë dhe publikut që të shmangin çdo formë gjuhe agresive ose polarizuese ndaj institucioneve fetare, duke theksuar se retorika e tillë mund të kontribuojë në përshkallëzimin e tensioneve, veçanërisht në periudha të ndjeshme.

Komuniteti Shqiptar i Bashkësisë Islame theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj paqes, dialogut, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës së qëndrueshme në shoqërinë austriake.

sqShqip