May 13, 2024
Maqedoni

Xhaferi-Silvestri: Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën evropiane

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka takuar Andrea Silvestrit, ambasador i Republikës së Italisë në vend, njofton Pres shërbimi qeveritar.

Në takim u theksua miqësia e madhe dhe e sinqertë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, e krijuar në 30 vitet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet shteteve. Sot, të dy vendet, konstatuan bashkëbiseduesit, kanë marrëdhënie dypalëshe shumë të zhvilluara dhe janë partnerë të besueshëm në Aleancën e NATO-s.

Republika e Italisë, siç u theksua është një mbështetëse e fortë dhe e madhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut në të gjitha proceset demokratike dhe reformuese. U theksua veçanërisht roli i rëndësishëm i Republikës së Italisë në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht të Maqedonisë së Veriut në një proces efikas, dhe çfarë mbështetje merr vendi ynë.

Po ashtu, krahas marrëdhënieve politike, mbrojtëse dhe kulturore, u konstatua se po zhvillohen edhe marrëdhëniet ekonomike, të cilat shënojnë trend të përparimit, duke qenë se Italia është ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investues të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Xhaferi e falënderoi për Monografinë e botuar me rastin e 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar si një dëshmi të vlefshme për brezat e ardhshëm, për miqësinë e thellë dhe produktive ndërmjet vendeve në rajon dhe në kontekstin evropian. Personalisht, shprehu kënaqësinë që ka mundësi nga pozita e Kryeministrit të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet shteteve.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e dyfishta të ardhshme në vendin tonë. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare konsiderohen të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke pasur parasysh nevojën për të konfirmuar orientimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si për cilësinë e jetës së qytetarëve në vend, ashtu edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe rrjedhimisht të Evropës, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit qeveritar.