Xhaferi: Nëse bllokohet Kuvendi nuk do të bëj luftë, do të veproj sipas Rregullores
Pas paralajmërimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për bllokim të Kuvendit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, tha se do të veprojë sipas Rregullores dhe se “nuk do të bëjë luftë”.
Ai theksoi se çdo parti është përgjegjëse para qytetarëve për veprimet e veta, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kuvendi vepron sipas Rregullores, nëse ka amendamente do të shohim se si do të kalojnë ligjet në komisione, nëse ka filibastering, sa mund të flasin deputetët, ja 120 deputetë që do të flasin për 10 minuta. Do të shohim nëse do të hapet debat në seancë plenare apo jo”.
“Unë do të punoj sipas Rregullores, nuk do të ketë luftë, do të shohim si do ta detyrojnë. Jo vetëm Kuvendi, por edhe institucionet tjera duhet të mendojnë për pasojat, sepse në një rast të tillë nuk është vetëm bllokadë e Kuvendit por edhe e shtetit”, theksoi Xhaferi.
Ai gjithashtu theksoi se nëse vjen deri te bllokimi i Kuvendit, nuk e ka ndërmend të thërrasë takim liderësh.