May 19, 2024
Maqedoni

Xhaferi flet për mungesën e kuorumit në Kuvend: Nëse ka pakënaqësi në koalicion, çështjet le t’i zgjidhin në Qeveri

Kreu i Alternativës Afrim Gashi dhe ai i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, nuk ishin të pranishëm në takimin koordinativ që u mbajt të premten në Kuvend mes kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe liderëve të shumicës parlamentare, njoftoi Xhaferi në takimin me gazetarët. Qëllimi i takimit ishte mungesa e kuorumit.

I pyetur Xhaferi se mos ka pakënaqësi brenda koalicionit qeverisës, për shkak se deputeti i Alternativës Hysni Ismaili nuk po votohet për tu bërë nënkryetar Kuvendi, Xhaferi tha se askush nuk e ka informuar se ka pakënaqësi në koalicion, duke shtuar se problemet në koalicionin duhet të zgjidhen politikisht, jo me mungese dhe mos votim të ligjeve.

“Kush mendon se ka problem me marrëveshjen që kanë bërë gjatë krijimit të shumicës, për atë gjë nuk janë marrë vesh me mua si kryetar i Kuvendit. Nëse brenda raporteve në ekzekutiv ka probleme për marrëveshjet politike që i kanë bërë, le t’i zgjedhin atje. Këtu mua nuk më interesojnë marrëveshjet politike dhe zbatimi i marrëveshjes. Këtu janë të gjithë për të miratuar ligje. Ka dy zgjidhje ose të jesh prezent ose të kërkosh të shpërbëhet parlamenti për të bërë një konfiguracion tjetër”, tha Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Por nga Alternativa thonë se nuk bëhet fjalë aspak për pakënaqësi dhe se gjërat që shkruhen në media janë vetëm spekulime.

“Nuk ka asnjë tension brenda koalicionit. Është çështje procedure vetëm. Emërimi i Dr. Hysni Ismailit është në rend tashmë një kohë më të gjatë dhe pritet vetë të vijë pika në rend dite. Gjithçka tjetër është spekulim medial dhe nuk ka të bëjë asgjë me ne. Përndryshe, shumica parlamentare është stabile dhe funksionon pa asnjë problem”, pohoi Orhan Murtezan, zëdhënës i Alterantivës.

Xhaferi foli edhe për mungesën e opozitës në sallë.

“Vetëm sa fillon seanca, salla e zbrazur, kërkojnë pauzë. Ja, kërkoj pauzë, shkruan në Rregullore, thonë. E di që është e shkruar në Rregullore, por Rregullorja shkruan edhe se duhet të jesh brenda në sallë, ndërsa nuk vjen”, pohoi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Xhaferi shtoi se Kuvendi nuk po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, ndërsa për ndryshimet kushtetuese dhe referendumin e paralajmëruar të VMRO-DPMNE-së vlerëson se është herët për t’u deklaruar. Para se Kuvendi të shkojë në pushim Xhaferi shpjegoi në këtë mandat janë mbajtur 83 seanca plenare, prej të cilave 54 kanë përfunduar, ndërsa 29 seanca nuk kanë përfunduar. Në 83 seanca në rend dite kanë qenë 973 pika, ndërsa 80 pika nuk u diskutuan për shkak se kryetarët e komisioneve nuk kanë thirrur seanca.