Guvernatori i shtetit të Washington, Bob Ferguson, i cili vitin e kaluar u bë shteti i parë në SHBA që e shpalli Fitër Bajramin festë zyrtare shtetërore, ka nxjerrë një proklamatë, duke njohur periudhën 18 shkurt – 19 mars 2026 si muajin e shenjtë të Ramazanit.
Duke uruar “Ramadan Mubarak” për komunitetin mysliman që nis muajin e agjërimit dhe lutjes, Fergusoni tha se “myslimanët e Washingtonit janë pjesë përbërëse e strukturës shoqërore të shtetit tonë”, duke theksuar se ata kontribuojnë ndjeshëm në “vitalitetin ekonomik të Washingtonit, shërbimin publik, sistemet arsimore, institucionet shëndetësore, bizneset e vogla, sektorin e teknologjisë, artin dhe kulturën, si dhe organizatat jofitimprurëse dhe komunitare”.
Në dokument thuhet se Ramazani “është një muaj i shenjtë agjërimi, lutjeje, reflektimi dhe komuniteti, i kremtuar nga miliona myslimanë në mbarë botën dhe nga mijëra myslimanë në Ëashington”, duke shtuar se kjo periudhë forcon vlerat e “bujarisë, vetëdisiplinës, mirënjohjes dhe kujdesit për fqinjët”, transmeton Zeri.info.
Fergusoni përmendi gjithashtu ligjin shtetëror të vitit 2025, i cili njeh zyrtarisht Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin si festa shtetërore, duke e bërë Washingtonin shtetin e parë që ndërmerr një hap të tillë.
“Në cilësinë time si guvernator i shtetit të Washingtonit, shpall periudhën 18 shkurt – 19 mars 2026, që përkon me kremtimin e këtij muaji të shenjtë sipas përcaktimit nga shikimi i hënës dhe në përputhje me kalendarin hënor, si Ramazani në Washington”, thuhet në proklamatë.
Duke e ndarë letrën në rrjetet sociale, Fergusoni shtoi: “Ramadan Mubarak për mijëra myslimanët e Ëashingtonit që nisin një muaj agjërimi dhe lutjeje.
Shteti i Washingtonit qëndron në mbështetje të komuniteteve tona myslimane”.

