VV tubim madhështor në Mitrovicën e çliruar (Video)
Dita e dytë e fushatës zgjedhore e ka dërguar Lëvizjen Vetëvendosje në Mitrovicë. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, para tubimit qendror ka takuar qytetarë në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar mbështetje për banorët në veri të Kosovës.
Para se të niste tubimin qendror në Mitrovicë, të dielën, Kurti ka takuar banorët e fshatrave Koshtovë, Cerajë e Bistricë të Leposaviqit. Atyre u ka premtuar përkrahje në disa fusha.
“Të gjithë ata të cilët dëshirojnë të jetojnë këtu, i kanë pronat e shtëpitë e tyre, t`i mbështesim me punësim, t`i mbështesim me ndërtim e rindërtim të shtëpive, t`i mbështesim me infrastrukturë sidomos rrugore por gjithashtu me qendra të kulturës, me qendra të mjekësisë familjare, me personel shtesë shëndetësor e arsimor”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Mitrovicë, Kurti ka takuar edhe minatorët e Trepçës, të cilëve po ashtu u ka premtuar përkrahje.
“Ne e kemi paraparë që Trepçën ta sjellim në kuadër të Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, të ja rrisim edhe peshën ekonomike por gjithashtu edhe investimet në çdo aspekt te ajo”, iu ka thënë ai minatorëve.
Për Trepçën foli edhe në tubimin qendror, në sallën e sportit “Minatori.
“Neve na duhet mandat i ri edhe për punishte të reja, 500 mijë vota me zemër për 500 mijë tonë xehe kur t`i bashkohet Fondit Sovran të Republikës”, është shprehur Kurti.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, mitrovicasve u ka premtuar se në qytetin e tyre nuk do të ketë më sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale e ngritje të barrikadave.
Për mandatin e radhës si kryeministër, Kurti ka premtuar mbështetje 1 miliard euro për investime të mesme dhe të mëdha në ndërmarrjet prodhuese, investim deri në 500 milionë euro në kompleksin turistik në Brezovicë e kompletim të infrastrukturës sportive me mbi 200 milionë euro në 18 komuna.
“Do ta përzgjedhim në këtë pranverë përfundimisht dhe do të fillojmë sa më shpejt hekurudhën Prishtinë Durrës. Do ta rrisim aktivitetin e gruas në ekonomi me një sërë masash përfshirë edhe programin super puna për gratë. Do ta rrisim harmoninë dhe kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet edhe gjyshërit që kujdesen për mbesat dhe nipërit e tyre nga mosha 1-3 vjeç për rastet kur punojnë dy prindërit e fëmijëve”.
Investime ka premtuar edhe në fushën e mbrojtjes, funksionalizimin e fabrikës së municionit e për ndërmarrje të tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake.
“Për vit do ta mirëmbajmë dhe rrisim përkrahjen financiare për Sanxhakun e Luginën. Ferizajn e Gjilanin do t`i bëjmë me ngrohtore të re e dyfishim të kapaciteteve të ngrohtores në Prishtinë. Klinika të reja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spital të ri në Mitrovicë, Spital të ri në Ferizaj, qendër kryesore të mjekësisë familjare si në Fushë Kosovë ashtu edhe ne Therandë. Do ta bëjmë mbrojtjen efektive të infrastrukturës kritike të vendit. Mbi 75 milionë euro për masa që bëjnë rritjen e efiçiencës në konsumin e energjisë dhe 10 profile të reja të mësimit dual që e lidhin tregun e punës me aftësimin profesional ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi për të rejat dhe të rinjtë tanë një vend pune”, ka premtuar Kurti.
Në veri, për më pak se katër vite, ka thënë se janë shtruar 65 km rrugë me asfalt derisa në proces, sipas Kurtit, janë edhe 100 km të tjerë. Ka shtuar se vetëm gjatë vitit të kaluar në veri të Ibrit janë regjistruar 300 biznese të reja e janë punësuar qindra qytetarë.
“Kush integrohet përfiton. Kush e respekton ligjin e mbështet qeveria”, ka thënë ai.
Në adresimin e tij para pjesëmarrësve në tubimin qendror në Mitrovicë, Kurti ka kritikuar edhe kundërshtarët e tij për në zgjedhjet e 9 shkurtit .
“Premtimet e këtyre tjerëve, premtimet e atyre tjerëve, të dashur qytetar i ngjajnë hajnit i cili do me ta vjedh shtëpinë por ta premton një bakshish. Kur i dëgjoni ata duke ju premtuar dine që ata duan me ta lanë bakshishin masi ta vjedhin shtëpinë. Por, ka kalu koha kur ata bëjnë sfilatë në pushtet e vjedhin shtëpinë e popullit. Opozita e ka vendin ma së shumti në opozitë”, ka thënë ai.
E kandidati për deputet, Xhelal Sveçla, nga salla “Minatori” premtoi ndryshim të mëtejmë të situatës në Mitrovicë.
“Si ka qenë këtu secili nga ju jeni dëshmitar veç e veç. Mitrovica e ndarë, veriu i okupuar por si është tash prapë ju jeni dëshmitarë veç e veç e të gjithë bashkë. S’ka më barrikada, s`ka më alarme e kamera ilegale, nuk ka më struktura paralele, nuk ka targa ilegale, nuk ka banda e kriminel, thënë shkurt në Kosovë nuk ka Serbi”, ka thënë Sveçla.
Lëvizja Vetëvendosje fushatën zgjedhore të hënën do ta vazhdojë në Pejë.