May 5, 2024
Kosovë

Kryeministri Kurti viziton odën ku u planifikuan aksionet e para të UÇK-së në Llap

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar odën e Naim Hysenit, ku u planifikuan aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llap nga heronjtë Ilir Konushevci, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe shumë të tjerë.

Kurti tha se këtu dëgjoi rrëfimet e bashkëluftëtarëve për heronjtë.

“Kjo është oda e Naim Hysenit, ku e kemi parë në xhirim Zahir Pajazitin. Këtu bënin plane për çlirim Zahiri, Ilir Konushevci, Hakif Zejnullahu e shumë të tjerë. Odë e përgatitjes para aksioneve; dhe, e strehimit pas aksioneve. Përveç gueriles së parë që filloi nga po këtu, çdo vendim tjetër për këtë zonë u vendos po ashtu këtu”.

“Dje ishte ditëlindja e Ilirit e nesër është e Hakifit. Sot erdha në këtë odë bashkë me kryetarin e Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi. Dëgjuam rrëfimet evokuese të bashkëluftëtarëve: Gjeneral Naim Haziri, Kolonel Shaip Haziri dhe Selim Haziri. Erdhëm për kujtim e nderim. Me përmallim dhe obligim”.