Vulat e ASh-së, Sela: Vulat e Aleancës u kthyen në rrënjët e veta
Pas përçarjes në ASh pritej që Gjykata të vendosë lidhur me atë se kujt i takojnë vulat e Aleancës për Shqiptarët. Ziadin Sela njofton se Gjykata Themelore në Tetovë, ka vendosur që atë ta njeh si kryetar të Aleancës për Shqiptarët. Sipas tij, vendimi gjyqësor ndërpreu qëllimet dashakeqe, të cilët kishin për qëllim ta rrënojnë këtë strukturë politike.
“Aleanca për Shqiptarët, siç kam paralajmëruar në fillim të këtij procesi, u kthye në rrënjët e veta. Natyrisht se përfaqësimi i partisë është një simbolikë. ASh-ja ka qenë këtu çdo herë e rreshtuar pas ideatorëve, themeluesve dhe pas atyre të cilët kanë dhënë mundin maksimal, në mënyrë që ky subjekt politik të vazhdojë rrugëtimin dhe me dinjitet t’i përfaqësojë shqiptarët, por normalisht edhe prezantimi institucional i Aleancës është një moment shumë i rëndësishëm. Ajo që ndodhi dje dhe vendimi i Gjykatës Themelore në Tetovë, përfundimisht i ndërpreu qëllimet dashakeqe të ikanakëve, të cilët ikën me qëllimin për ta rrënuar këtë strukturë politike.”, – deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela, informon TVM2.
Abduli: Dyshojmë për vendim kriminel, jo të drejtë
Por avokati i Arben Taravarit, Abidin Abduli, thotë se për këtë rast janë ndërruar 4 gjykatës, ndërsa dyshon se ky vendim është sjellë jashtë institucionit dhe vetëm është nënshkruar nga gjykatësi, Ilir Rexhepi. Sipas tij, gjykatësi nuk ka marrë parasysh argumentet e dorëzuara dhe se vendimi do të ankimohet.
“Dëshmitë tona kryesore kanë qenë deklaratat e 68 kuvendarëve të noterizuara, të cilët nuk kanë marrë pjesë në kongresin e thirrur nga Ziadin Sela. Hedh dyshime të mëdha se ky vendim është sjellë jashtë institucionit Gjykata Themelore e Tetovës dhe vetëm është nënshkruar nga gjykatësi, Ilir Rexhepi. Dyshimet tona për një krim të organizuar mes kryetarit të gjykatës, gjykatësit, që ka vendosur për lëndën, dhe njërit prej avokatëve të palës tjetër, është i dukshëm. Unë mbetem me shpresë se turpi do të jetë vetëm në suaza të Gjykatës së Tetovës dhe se Gjykata e Apelit do ta shqyrtojë lëndën në detaje, komplet dokumentacionin dhe mbetemi me shpresë se do të sjellë vendim të drejtë.”, – theksoi avokati i ASh-së, krahu i Arben Taravarit, Abidin Abduli.
Nga Aleanca për shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, thonë se edhe sikur krahu i Selës t’i marrin vulat, popullin nuk e fiton dot asnjë gjykatë. Kontesti në fjalë erdhi si pasojë e vendimit të Taravarit për t’u rreshtuar me opozitën shqiptare. Krahu i Ziadin Selës më 18 shkurt në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët shkarkoi kryetarin Arben Taravari dhe në krye të kësaj partie rizgjodhi Ziadin Selën.