May 14, 2024
Kosovë

Kurti në Veri vizitoi përmendoren e Enver Zymberit dhe vendin e pritës kriminale ku u vra Afrim Bunjaku

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për gazetarët para komunës së Mitrovicës së Veriut ku zhvilloi një takim me kryetarin Erden Atiq.

Ai tha se qëllimi i vizitës së tij në këtë komunë ishte dhënia e mbështetjes së Qeverisë për këtë komunë, raporton Gazeta Express.

“Me kryetarin Eden Atiq bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e punëve këtu. Mbështetje si qeveri për këtë komunë dhe për të gjitha shërbimet që i jepen qytetarëve pa dallim”.

Kurti foli edhe për vizitat në përmendoren e policit të vrarë, Enver Zymberi dhe në vendin ku u vra edhe polici Afrim Bunjaku.

“Vizituam edhe përmendoren e Enver Zymberit që tani do t’i mbushte 45 vjet, por është vrarë, siç e dimë në korrik të 2011. Po ashtu, e vizituam edhe vendin ku ishte organizuar ajo prita kriminale ku është vrarë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët dhe terroristë që tash fshihen në Serbi”.

Kurti në Veri shkoi bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi.