Vuçiqi dhe Rama po e destabilizojne Kosovën sepse u dështoi “Open Ballkani”
Shkruan: Ylber Pilku, New York
Të shumta janë shkaqet për rrebelimin e serbëve në Kosovë. Sipas mendimit tim, të gjitha shkaqet janë me natyrë kriminele, kurse vetëm një shkak është me karakter politik.
Të fillojmë me radhë. Me ardhjen e Albin Kurtit kryeministër dhe Vjosa Osmanit presidente, është ngushtuar hapësira per aktivitetet kriminele të kontrabandistëve serbë në Veri të Kosovës, të cilët kishin bashkëpunim të ngushtë edhe me strukturat e afërta të Hashimit, Isës, Avdulla Hotit, …
Ata nuk mund të zhvillojnë kontrabandën si në kohën e qeverive të kaluara dhe nervozizmin mundohen ta shprehin me kërkesa të karakterit politik.
Ndërkohë javën e kaluar në Berlin u gropos përfundimisht plani famëkeq i Vuçiqit për të krijuar një zonë të kontrolluar nga Serbia në Ballkanin Perëndimor përmes Open Ballkanit të Novi Sadit. Kjo ka shtuar nervozizmin e dyshit Rama-Vuçiq dhe piunave të tyre, që sipas mendimit tim poashtu kanë gisht në tentimet për destabilizim të Kosovës.
Pas dështimit të Open Ballkanit ata me çdo kusht do të mundohen ta kthejnë në tavolinë planin për ndarjen e Kosovës, që dështoi me shkuarjen e Hashim Thaçit në Hagë.
Mua si mërgimtar më gëzon fakti se shqiptarët e Kosovës edhe në këtë sfidë janë rreshtuar fuqishëm me udhëheqësinë shtetërore të vendit, sado që disa politikanë të opozitës kosovare po mbajnë haptazi, ose në mënyrë të tërthortë anën e Listës Serbe dhe Goran Rakiqit.
Kjo tregon vetëdijen e lartë të vëllezërve dhe motrave kosovare që nuk bien në kurthin e opozitës për të sulmuar Vjosën dhe Albinin në këto momente të rëndësishme. Kjo tregon se Kosova do bëhet shtet edhe më i fortë dhe nuk do ndahet kurrë siç dëshirojnë Rama e Vuçiqi dhe politikanët e korruptuar të Kosovës.