May 11, 2024
Rajon - Botë

Vuçiq: Jam i gatshëm për kompromis, krerët e 4 komunave duhet të dorëhiqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi gjatë një interviste në mediat vendase se situata në veri të Kosovës është tensionuar dhe nevojitet një zgjidhje e menjëhershme për banorët e këtyre zonave.

I ftuar në televizionin Happy, pas takimit me serbët e veriut, lideri serb u shpreh se vendi i tij është i gatshëm për kompromis për tejkalimin e kësaj situate, por është e nevojshme që 4 kryetarët e komunave të japin dorëheqjen.

“Ne jemi të gatshëm për kompromis, thjesht po ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojë formimi i Asociacionit”, tha Vuçiq.

Më tej, presidenti i Serbisë dha detaje për takimet e fundit që ai pati me përfaqësuesin e lartë të BE, Lajçak dhe atë të SHBA, Escobar.

“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçakun, me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë. Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë. Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, konflikt. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, tha Vuçiq.