May 2, 2024
Rajon - Botë

Vriten 3 ushtarë të tjerë izraelit në Gaza, që nga 7 tetori numri arrin në 371

Ushtria izraelite ka njoftuar se tre ushtarë të tjerë u vranë në luftimet në Rripin e Gazës, duke e çuar në 371 numrin e ushtarëve të vrarë që nga shpërthimi i konfliktit aktual më 7 tetor, transmeton Anadolu.

Ushtria përmes një deklarate tha se dy ushtarë të Brigadës 401 të Korpusit të Blinduar u vranë në luftimet në veri të Rripit të Gazës.

Një tjetër ushtar nga Batalioni 202 i Brigadës së Parashutistëve u vra në përleshje në territorin palestinez, thuhet në deklaratën e veçantë të ushtrisë.

Ushtria tha se dy ushtarë të tjerë u plagosën rëndë në enklavën e bllokuar.

Nuk është ende e qartë se sa ushtarë janë vrarë në Rripin e Gazës që kur Izraeli zgjeroi operacionet tokësore në territorin e bllokuar më 27 tetor. Shifrat zyrtare, megjithatë, thonë se numri i ushtarëve të vrarë ka arritur në 371 që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza më 7 tetor.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Të paktën 11.500 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë rreth 7.900 gra dhe fëmijë dhe mbi 29.800 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në ofensivën izraelite.

Ndërkohë, numri i izraelitëve të vdekur është 1.200, sipas shifrave zyrtare.