April 30, 2024
Rajon - Botë

SHBA, 24 anëtarë të kongresit ftojnë Bidenin “Të bëjë thirrje për armëpushim në Gaza”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është përpjekur të mbrojë sulmin e Izraelit në spitalin Al-Shifa në Gaza, duke pretenduar se grupi palestinez Hamas përdor spitalin si seli të tyre, transmeton Anadolu. “Ju keni një gjendje ku krimi i parë i luftës po kryhet nga Hamasi duke e mbajtur selinë e tyre, ushtrinë e tyre, të fshehur nën një spital. Dhe ky është një fakt, kjo është ajo që ndodhur”, tha Biden. Duke mbrojtur veprimet e Izraelit, i cili deri më tani nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë se spitali më i madh i Gazës ishte një seli e Hamasit, presidenti amerikan tha se Izraeli nuk hyri me një numër të madh trupash dhe nuk kreu “bastisje”. I pyetur se çfarë lloj provash ka SHBA-ja për pretendimet e saj për Hamasin, ai nuk pranoi të hyjë në detaje.

Biden tha se operacioni izraelit do të ndalet kur Hamasi të mos ketë më aftësitë për të vrarë dhe keqpërdorur dhe thjesht për të bërë gjëra të tmerrshme ndaj izraelitëve.

Në ndërkohë, 24 anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve theksuan “shqetësimet e tyre të thella” në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza dhe ftuan presidentin Joe Biden “të bëjë thirrje për armëpushim”. Në një letër dërguar Bidenit ata tërhoqën vëmendjen se në Gaza ka “shkelje shumë serioze të të drejtave të njeriut”. Në letër thuhet se nëse konflikti nuk ndalet menjëherë, do të humbin jetën më shumë civilë si dhe paralajmërohet se me këtë rast SHBA-ja mund të futet në konflikt me grupet e armatosura në Lindjen e Mesme. Më tej thuhet se ndërhyrja ushtarake nuk është zgjidhje për konfliktin Izrael-Palestinë ndërsa ftohet administrata Biden të paraqesë një qëndrim të qartë kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Ndërkaq, Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan ka deklaruar se heshtja e Perëndimit ndaj sulmeve të Izraelit nënkupton miratimin e paligjshmërisë në mbarë botën. “Të heshtësh ndaj paligjshmërisë së Izraelit në Gaza është e barabartë me dhënien e ‘dritës së gjelbër’ ndaj paligjshmërive të tjera në mbarë botën”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij boshnjak, Elmedin Konakoviq. Fidan theksoi se sulmet çnjerëzore në Gaza vazhdojnë ende dhe se kjo që po ndodh është me të vërtetë një “burim turpi”. “Për të thyer rezistencën, bombardohen xhamitë, spitalet dhe shkollat dhe ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur me ato sulme. Unë u bëj thirrje vendeve perëndimore të mos jenë partnerë në krim duke heshtur”, shtoi ai. Siç theksoi ai, heshtja e plotë e vendeve perëndimore ndaj brutalitetit në Gaza është alarmante. Që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 11.500 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite. Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200.