Kolumna

Votuesit demokratë e shpallën “non grata” Lulzim Bashën

Shkruan: Ylber Pilku, Nju Jork

Partia Socialiste të dielën korri zyrtarisht edhe një fitore kundër opozitës. Po them zyrtarisht duke pasur parasysh rrethanat në ët cilat u zhvilluan zgjedhjet. Edhe pse jetojmë në Amerikë, ne shqiptarët e diasporës kemi përcjellur në detaje zgjedhjet e zhvilluara në atdhe. I kemi përcjellë prej së afërmi edhe gjitha “marifetet demokratike” që i përdori pushteti socialist për të arritur deri tek fitorja.
Edhe ashtu siç e arritën, me shumë parregullsi e manipulime, fitorja nuk ka shije aq të ëmbël për Socialistët. Shihet qartë se kjo fitore është hidhur si pelini, sepse i përkëdheluri i tyre Lulzim Basha humbi me rezultat katstrofik kundrejt Shtëpisë së Lirisë.

U legjitimua ajo që e dinim të gjithë, se votuesi demokrat është me liderin historik Sali Berishën, kurse Lulzim Bashën e shpallën “non grata”. Ajo që u vërejt në Foltoret anembanë Shqipërisë, që u vërejt në Kongresin madhështor të Rithemelimit, u legjitimua qartë me votë, paçka se u bënë shumë keqpërdorime nga ata që mbajnë përgjegjësi për rregullshmërinë e votimeve.
Tani situata është shumë e qartë. Votuesi demokrat nuk ka më dyshime, por është i gatshëm që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ta marë në duar fatin e Shqipërisë. Votuesi demokrat nuk do të lejojë që fati i vendlindjes të nëpërmkëmbet edhe më tej, nëpër fusha të drogës, e nëpër korridore të mbyllura të Open Ballkanit e të Vuçiqit. Vullneti demokrat në Shqipëri nuk do të lejojë të përdoret si material përpunues në inceneratorët e “Rilindjes”, ashtu siç e kishin paramenduar socialistët e veshur me petkun blu. Ky vullnet i ka bë kthesat më të mëdha në historinë e re të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të jetë bartës i proceseve historike edhe në të ardhmen.
Votuesi demokrat nuk është më i gatshëm t’i shërbejë kauzës së Edi Ramës, siç u keqpërdor vullneti i tyre tani e dhjetë vite, por është i mobilizuar t’i prijë Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ashtu siç i priu para 15 viteve drejt NATO-s.


Po të mos ishin përçarjet e shkaktuara nga Lul Basha, jam i bindur se rezultati nuk do të ishte 5 me 1 në favor të PS-së, por 5 me 1 në favor të “Shtëpisë së Lirisë. Ndoshta edhe 6 me 0. Po të mos ishte përçarja, vota opozitare nuk do të ndahej në dy lista, kurse vullneti unifikues do të rezultonte me dalje dyfish më të madhe të tyre në zgjedhje.
Sidoqoftë, është shumë me rëndësi që tani Basha ta pranojë realitetin ashtu sil është, e jo ashtu siç ia servon Edi Rama. Shumë është me rëndësi ai të tërhiqet vullnetarisht dhe të mos shkaktojë përçarje të reja.
Sepse edhe po të tentojë, ai nuk mundet ta parandalojë më ringritjen e kauzës demokratike që e ktheu Shqipërinë nga sistem stalinist, në mikun më të afërt të SHBA-së, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Demokracia po kthehet vrullshëm në Shqipëri dhe është proces që askush nuk mund ta ndalojë.