Sport

Vosha: Besojmë në fitore ndaj Vardarit dhe të festojmë me ”Shvercerat”

Shkupi nesër do të përballet me Vardarin në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 13-të të elitës vendore.

Për këtë ndeshje të gjithë në kampin bardhekaltër janë të gatshëm për të dhënë maksimumin që të vazhdojnë serinë pozitive dhe njëkohësisht të mbeten në kreun e tabelës së renditjes.

Optimizmi për fitore është edhe tek lojtarët bardhekaltër, të cilët kanë punuar me një atmosferë pozitive gjatë ditëve që lamë pas.

Pikërisht për duelin e të dielës, ka folur sulmuesi i krahut dhe golashënuesi më i mirë i Shkupit, Arbi Vosha, i cili mes tjerash ka thënë se për këtë ndeshje pret përkrahjen maksimale nga tifozët të cilët në çdo ndeshje janë lojtari i dymbëdhjetë i tyre.

“E dimë që është ndeshje derbi, por për ne edhe kjo është si çdo ndeshje tjetër, andaj të gjithë në ekip e kemi marrë këtë lojë me shumë qetësi. Sigurisht se kemi punuar me shumë përkushtim dhe jemi përgatitur maksimalisht për lojë, duke shpresuar se besuar se mundë të marrim tri pikë. Në fund dua të them që pas ndeshjes do të festojmë së bashku me “Shvercerat” që si gjithmonë kanë dëshmuar se janë lojtari ynë i 12-të, andaj u bëjë thirrje që të jenë në numër sa më të madh, të mbushim tribunat, të na përkrahin gjatë ndeshjes dhe në fund të festojmë siç na ka hije”, është shprehur Vosha.

Ndeshja Shkupi – Vardari luhet nesër me fillim në ora 13:00.