May 17, 2024
Maqedoni

VMRO-ja dyshon se LSDM-ja ka ndryshuar qëndrim sa i përket shfuqizimit të Qeverisë Teknike

Gazetar: Adrian Kerimi

Nuk pritet të ketë takim liderësh për shfuqizimin e Qeverisë teknike. Pushteti pretendon që procedura të përfundojë në Kuvend, duke u thirrur në marrëveshjen paraprake të liderëve, shkruan Alsat.

Ndonëse LSDM-ja nuk kishte përgjigje nëse lideri socialdemokrat, Dimitar Kovaçevski do të pajtohet për heqjen e Qeverisë teknike në bazë të marrëveshjes së vitit 2021 mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, opozita maqedonase pret që Kovaçevski ta respektojë atë.

Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja ka ndryshuar qëndrim për heqjen e Qeverisë teknike.

“Vitin e kaluar në muajin gusht në takimin mes liderëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së u arrit marrëveshje dhe ishte pranuar propozimi i VMRO-DPMNE-së që Qeveria teknike të abrogohet. Pse nuk u pranua dhe pse ndryshoi qëndrim LSDM-ja, këtë përgjigje duhet ta japin ata”, u shpreh Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

E Majta mbështet shfuqizimin e Qeverisë teknike përmes Kuvendit dhe jo si konsensus që mund të dalë nga takimi i liderëve.

“Ne angazhohemi për heqjen e Qeverisë së Përzhinos dhe në të njëjtën kohë ndryshimin e modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore si përcaktim i yni programor që nga themelimi. Ndryshimet ligjore duhet të procedohen si ndryshime të çdo ndryshime të tjera. Jemi mësuar të funksionojmë jashtë sistemi, ku partitë e mëdha merren vesh ndërsa ligjvënësi vetëm miraton atë që konstatojnë liderët”, tha Borisllav Kërmov nga “E Majta”.

Sipas BDI-së, shfuqizimi i Qeverisë teknike nga Ligji për qeverinë nuk cenon kryeministrin shqiptar. Me kthimin e qeverisë politike deri në ditën e zgjedhjeve në dispozitat e Ligjit për Qeverinë, kryeministri shqiptar 100 ditët e fundit të mandatit mund të bëhet vetëm sipas modelit të dorëheqjes së Zoran Zaevit që nënkupton dorëheqjen e gjithë kabinetit qeveritarë, caktimin e mandatarit të ri dhe zgjedhjen e Qeverisë së re./ Alsat.mk