Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, deklaroi se kreu i BDI Ali Ahmeti, kishte pranuar të hyjë në Qeveri pa kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit dhe duke pranuar një numër më të vogël ministrash krahasuar me koalicionin VLEN, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Ajo shtoi se këto bisedime janë zhvilluar në zyrën e saj.
Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke i hedhur poshtë deklaratat e deputetes së VMRO-DPMNE-së. Në reagimin e saj, BDI thekson se Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me Stojanoskën dhe se nuk ka pasur oferta apo pazare politike për hyrje në Qeveri.
“Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën”, thuhet në reagimin e BDI-së.

