May 20, 2024
Maqedoni

VMRO e quan dyfytyrësi deklaratën e Xhaferit për kodin zgjedhor

Dyfytyrësi e quan VMRO-DPMNE-ja deklaratën e kryeministrit Talat Xhaferi për kodin zgjedhor, me ndryshimin e të cilit partitë thonë se do t’u mundësohet votimi rreth 100 mijë votues që nuk kanë dokument të vlefshëm identifikimi.

Xhaferi një herë kishte deklaruar se këto qytetarë kanë mjaft kohë deri në zgjedhje për t’u pajisur me dokumente të reja dhe nuk ka nevojë për ndryshime ligjore, kurse pasi u bënë ndryshimet ligjore, ai tha se ndryshimet janë selektive dhe nuk e zgjidhin problemin deri në fund.

“Kryeministri teknik Xhaferi si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv mundet të propozojë ligje, si një ndër propozuesit e autorizuar. Nëse ai vlerëson se ekziston modus i caktuar se si duhet të veprohet me dokumentet në procesin zgjedhor, duhet atë ta propozojë në Kuvend. Megjithatë është dyfytyrësi dhe duhet të kujtojmë se pak ditë para miratimit të ndryshimeve në Kodin zgjedhor me të cilat u mundësua votim edhe me pasaporta të skaduara dhe dokumente personale, vetë ai tha se nuk ka nevojë për miratimin e këtij ligji”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga LSDM-ja por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.
Xhaferi qëndrimin për ndryshimet në Kodin zgjedhor e bëri të ditur dje.