May 6, 2024
Maqedoni

Mot me vranësira të ndryshueshme me shi të përkohshëm lokal

Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët, kryesisht në zonat malore në pjesët perëndimore me reshje të kohëpaskohshme lokale shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, më e theksuar përgjatë Vardarit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 8 gradë, ndërsa maksimalja prej 11 deri në 17 gradë.

Në Shkup do të mbajë mot me vranësira të pjesshme me reshje të shkurtra shiu dhe me erë të dobët deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të bie deri në 7, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 15 gradë.

Sipas DPHM-së, në ditët në vijim do të mbajë mot i freskët dhe i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme shiu. Të premten dhe në fundjavë kushtet e reshjeve do të ulen dhe do të ketë më shumë mot me diell.