May 8, 2024
Maqedoni

VMRO-DPMNE: Pendarovski ka gënjyer, tani do të ndëshkohet

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Pendarovski në vitin 2019 ka gënjyer qytetarët se Maqedonia nuk ka çështje të hapura me fqinjët e saj dhe se Bullgaria dhe Greqia janë mbështetësit kryesorë të integrimeve. Ka gënjyer edhe kur e promovoi Prokurorinë Speciale si institucion që do të sjellë drejtësi.

“Në fund, Pendarovski jo vetëm që pranoi se gjithçka që premtoi ishte gënjeshtër, por nënshkroi edhe ndryshimet në Kodin Penal për vjetërsimin e një numri të madh veprash penale, duke falur njerëzit nga pushteti, por edhe të gjithë ata që pompuan miliona derisa LSD-ja është në pushtet. Pendarovski e ka shkatërruar drejtësinë dhe është kumbari i krimit. Me të drejtë populli thotë se ne nuk kemi shtet, është koha ta kthejmë.”, – theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Nga opozita shqiptare, VLEN, deklarojnë se nuk kanë frikë nga paralajmërimet e krijimit të një koalicioni të udhëhequr nga BDI-së, së bashku me Selën, Partinë e Arijanit Hoxhës dhe Skender Rexhepit. Sipas VLEN-it, kjo do t’i qartësojë gjërat për votuesit që tani po manipulohen nga parti të caktuara se duan të garojnë të vetme në zgjedhje.

“Le të bashkohen, të kemi vetëm dy fronte në kampusin shqiptar. Kështu që nuk do të shpërndahet vota shqiptare dhe së bashku t’i fitojmë të gjithë. Pra, në këtë kontekst nuk kemi frikë. Presim të bashkohen dhe të dalin me lista të përbashkëta.”, – u shpreh Blerant Ramadani nga VLEN.

Lëvizja “E di” do të ketë kandidatë në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore.

“Për momentin është në procedurë në Organizatat tona komunale propozimi i kandidatëve të mundshëm për deputetë. Pas mbarimit të asaj procedure, mediat do të informohen në kohë se kush do të jenë bartësit e listave.”, – theksoi Goran Minçev nga Lëvizja “E di”.

Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, informoi se partia e tij do të mbështesë një dispozitë ligjore që do t’u mundësojë qytetarëve të votojnë edhe me dokumente udhëtimi me emrin e vjetër kushtetues. Bëhet fjalë për 100 mijë qytetarë që nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm, dhe kanë pasaportë me emrin e vjetër kushtetues, e cila gjithashtu është e pavlefshme, ndërsa këto ndryshime i parasheh Kodi Zgjedhor.

Ndërkohë në KShZ ka mbërritur edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidat për president të shtetit. Kandidati më i ri, Goce Ristov, ka afat deri të premten për të mbledhur 10,000 nënshkrime, njoftojnë nga KShZ-ja. Në garën presidenciale kanë hyrë tashmë 7 kandidatë. Deri tani 10 mijë nënshkrime i kanë siguruar Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga opozita shqiptare VLEN, ndërsa pjesë e garës presidenciale do të jenë edhe Dimitrievski, Vankovska, Jakimovski, Siljanovska dhe Pendarovski.