April 30, 2024
Maqedoni

VMRO DPMNE nesër në protestë për “27 Prillin”, Mickoski: Liri për mbrojtësit e kushtetutës

VMRO-DPMNE nesër në orën 11:00 do të protestojë, duke mbështetur të dënuarit për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 Prill, 2017. Njoftimin për protestë e bëri lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Sipas tij, protesta do të fillon para Qeverisë dhe do të mbaron para Kuvendit.

Drejtësia nuk duhet të jetë e verbër. Edhe një ditë burg për një person të dënuar padrejtësisht, është aq e vështirë sa një vit. Maqedonia nuk duhet t’i harrojë bijtë e saj. Liri për mbrojtësit e Kushtetutës dhe mbështetje për protestën mbarë popullore! – tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mbështetja online për protestën erdhi nga disa anëtarë të partisë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, por edhe nga Budapesti. Ish-kryeministri i arratisur Nikola Gruevski beson se protesta që kërkon lirimin e të dënuarve më 27 prill është e justifikuar. Ai i konsideron vendimet gjyqësore të padrejta dhe – siç thotë ai – të bazuara mbi akuzë të rreme për terrorizëm.

Atë ditë, deputetët e shumicës aktuale me qëllim, me vetëdije dhe plotësisht ilegalisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën, vazhduan seancën pikërisht në kohën kur turma e mbledhur që kishte protestuar paqësisht për 60 ditë, ishte para Parlamentit. Plotësisht të vetëdijshëm se ata do të provokonin një reagim të njerëzve të mbledhur për të mbrojtur Kushtetutën. Ata duket se ishin të udhëzuar qartë, se një incident do të ishte i mirëpritur për ta dhe pastaj faji për opinionin vendas dhe ndërkombëtar do të binte mbi organizatorët e protestave paqësore, pjesëmarrësit, por edhe mbi VMRO-DPMNE – shkroi në FB Nikola Gruevski, Ish Kryeministër.
Sipas LSDM-së, Nikola Gruevski qëndron prapa protestës së nesërme, duke besuar se kryetari aktual i opozitës Mickoski është vetëm zbatues i kërkesave të Gruevskit.

Thirrja e të arratisurit dhe të dënuarit që ndodhet në Budapes, Nikolla Gruevski tregojn se pas protestave të nesërme në mbrojtje të dhunës, pas përpjekjes për grusht shteti, prapa vrasjeve në tentativë të deputetëve, gazetarëve dhe punonjësve të Parlamentit, qëndron pikërisht ai. Protestat e nesërme e organizuara nga VMRO-DPMNE, për mbrojtjen e personave të dënuar për terrorizëm tregojnë se Hristijan Mickoski është vetëm një vazal, ekzekutues i dëshirave të Gruevskit – thonë nga LSDM.
Në procesin gjyqësor, 16 të dënuarve për dhunën në Kuvend, Gjykata e Apelit ua vërtetoi dënimet me total 188 vite, duke ulur dënimet e të akuzuarve për një ose dy vite. Ndërkohë procesi gjyqësor për organizatorët e dhunës vazhdon akoma. Të dyshuar janë ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski. Hetimi përfshin gjithashtu Nikola Gruevskin dhe agjentin e kundërzbulimit Nikolla Boshkovski, por gjykimi ndaj tyre do të vazhdon në momentin kur do të jenë të kapshëm për organet e ndjekjes penale.