VMRO-DPMNE ka dalë me një sërë akuzash në adresë të LSDM-së, ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të partisë, Venko Filipçe, duke pretenduar se ata nuk japin përgjigje për një ryshfet të supozuar prej 4 milionë eurosh, lidhur me Planin e Detajuar Urbanistik (PDU) në Tetovë.

Nga partia theksojnë se, sipas regjistrimeve audio të publikuara nga biseda midis personave të emërtuar si Daka dhe Kiçeec, mjetet ishin të lidhura me një projekt për ndërtimin e rreth 2.000 njësive banesore në Tetovë.

„LSDM, Zaevi dhe Filipçe vazhdojnë të mos japin përgjigje për ryshfetin me vlerë 4 milionë euro për PDU-në në Tetovë“, njoftuan nga VMRO-DPMNE.

„Ku përfunduan 4 milionë eurot e Dakës për PDU-në në Tetovë?“, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Në kumtesë shtrohen edhe pyetje shtesë për interesa të mundshme financiare lidhur me shitjen e banesave dhe marrëveshje të supozuara.

„A duhej që Zaevi, përveç këtyre 4 milionë eurove, të merrte edhe përqindje nga shitja e banesave, vlera e të cilave në atë kohë do të arrinte rreth 200 milionë euro?“, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Partia akuzon gjithashtu për vendosjen e interesave personale mbi interesin publik, si dhe për lidhje të supozuara me biznesmenë të huaj.

„A i kanë vendosur Zaevi dhe Filipçe interesat personale para interesit të qytetarëve me qëllim që të fitojnë në mënyrë enorme?“, pyesin nga VMRO-DPMNE.

„A ishin të gatshëm Zaevi dhe Filipçe që për përfitime personale t’i lejojnë biznesmenit pro-rus dhe personit në ‘listën e zezë’, Daka, të ndërtojë në Tetovë?“, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Më tej, VMRO-DPMNE shpreh edhe akuza më të gjera politike lidhur me ndikimet e jashtme.

„Për qëllime personale lukrative, Zaevi dhe Filipçe ishin të gatshëm të përhapnin edhe politikën pro-ruse, siç ishte rasti me Onishchenkon dhe Markovskit“, njoftuan nga VMRO-DPMNE.

„Pse LSDM dhe Filipçe heshtën dhe ishin bashkëpunëtorë në procesin e përhapjes së politikës pro-ruse në Maqedoni?“, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Partia vlerëson se bëhet fjalë për një rast serioz i cili, sipas tyre, kërkon reagim institucional.

„Kjo është dëshmi se Zaevin dhe Filipçen, përveç interesave personale, asgjë tjetër nuk i intereson. Zaevi dhe Filipçe janë të gatshëm të shesin interesat kombëtare dhe të përhapin politika shtetrrënuese, duke dëmtuar kështu procesin e integrimeve evropiane vetëm për një qëllim: të pasurohen në mënyrë enorme“, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga atje u bëjnë thirrje institucioneve kompetente të veprojnë për rastin dhe të sigurojnë përgjigje për opinionin.

„LSDM të mos heshtë, Filipçe të mos fshihet dhe të japë përgjigje para publikut. Prokuroria Publike ta hetojë rastin plotësisht dhe të veprojë sipas ligjit. Sundimi i së drejtës dhe shteti ligjor duhet të ekzistojnë“, përfundon njoftimi i VMRO-DPMNE-së.

sqShqip