Maqedoni

VMRO-DPMNE-ja paralajmëron padi ndaj Spasovskit

VMRO-DPMNE-ja paralajmëron padi ndaj ish ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski për siç thonë nga kjo parti kaosin e shkaktuar me dokumentet personale. Sipas partisë së Mickoskit, Spasovski me punën e tij të papërgjegjshme ka sjell shtetin në një gjendje ku nuk ka mundur t’i përmbush të drejtat themelore të qytetarëve.

“Qeveria e BDI-së dhe LSD-së, por mbi të gjitha Oliver Spasovski janë drejtpërdrejt përgjegjës për kaosin që u krijua me dhënien e dokumenteve personale. Ata e cenuan dinjitetin e qytetarëve dhe e sollën shtetin në një gjendje ku nuk mund t’i përmbushë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të vet, thuhet në njoftimin e sotëm të VMRO-DPMNE.

“Për shkak të pakujdesisë në shërbim dhe keqpërdorimit të detyrës, Oliver Spasovski ka lejuar lëshimin e dokumenteve të udhëtimit edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se ato do të bëhen të pavlefshme para skadimit të afatit të vlefshmërisë së tyre. Nëse kësaj i shtohen edhe deklaratat zyrtare të qeverisë së LSD-së se dokumentet e udhëtimit dhe personale të qytetarëve do të jenë të vlefshme deri në skadimin e afatit të tyre, atëherë vijmë në faktin se LSD-ja gënjeu dhe manipuloi në mënyrë sistematike qytetarët, për t’i sjellë deri në këtë pikë. Fjala vjen, Spasovski dhe qeveria e LSD-së nuk siguruan formularë dhe kushte adekuate për shtypjen me kohë të një numri të mjaftueshëm dokumentesh, duke i vënë njerëzit në pozitë të mos mund t’i marrin dokumentet personale. Për më tepër, qytetarët janë të ekspozuar ndaj kostove të panevojshme financiare për të marrë dokumente të reja. Prandaj, VMRO-DPMNE do të ngrejë padi ndaj Oliver Spasovskit për punë të pakujdesshme me qëllim të kompensimit të qytetarëve për implikimet financiare të shkaktuara nga kjo qeverisje e BDI-së dhe LSD-së”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE.