May 10, 2024
BallinaLajmet e rejaMaqedoni

VMRO-DPMNE fushatë parlamentare dhe presidenciale, Siljanovska: Më 8 maj pres vullkan

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Jote”, për president, Gordana Siljanovska Davkova, vazhdoi fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ajo nga Krusheva tha se zhvillon fushatë duke u përqendruar te ajo se çfarë do të bëjë, por duke theksuar atë që kundërkandidati nuk e ka bërë dhe çfarë duhet bërë patjetër.

“Me të 8-tin pres vullkan, por politik, jo vullkan të vërtetë, pasi ky vend meriton të jetë vend i dinjitetshëm për të jetuar, Krusheva meriton të jetë qyteti që të gjithë dëshirojnë ta shohin, do të kënaqen në të qyteti i qytetareve dhe qytetarëve të lumtur.” – u shpreh Gordana Siljanovska Davkova-Kandidate për president.

Ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski duke vazhduar fushatën në Negotinë paralajmëroi luftë kundër ekonomisë gri, që buxheti të mbushet sa më shumë dhe të ketë para për të gjithë qytetarët.

Sipas tij, LSDM dhe BDI janë de legjitimuar me rezultatin e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, prandaj është koha të shkojnë në opozitë.

“Për mua të gjithë njerëzit e ndershëm dhe qytetar lojal të Maqedonisë janë vëllezërit dhe motrat e mija, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, këtu nuk ka ndarje, por nuk do të ketë mëshirë për kriminelët, të cilët e turpëruan, nënçmuan dhe e vjedhën Maqedoninë.  Ata njihen mirë.” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ndërsa bartësi i listës në njësin e tretë zgjedhore, Aleksandar Nikollovski, paralajmëroi gazifikimin e Termocentralit në Negotinë si dhe moslejimin e monopolit të një kompanie për grumbullimin e rrushit dhe prodhimin e venës. Konkurrenca është e nevojshme për të arritur te çmimi më i mire, tha Nikollovski.

“Planifikojmë ndoshta për mua më e rëndësishmja, çmime të dinjitetshme për vreshtarët, grumbullimi i rrushit, që do të thotë rritje e dinjitetshme e prodhimit, si dhe çka është më e rëndësishmja restartimi i kompanisë Povardarie.” – deklaroi  Aleksandar Nikollovski – Bartës i listës në njësinë e 3-të.

Nga VMRO-DPMNE kërkuan mbështetje masovike nga qytetarët në zgjedhjet e 8 majit si për kandidaten për presidente ashtu edhe për kandidatët për deputet.