VMRO: Artan Grubi, Edi Rama nga “Aliexpress”, ka atlete që kushtojnë mbi 450 euro
Nga VMRO-DPMNE mëngjesin e sotëm e kanë kritikuar zëvendëskryeministrin Artan Grubi për veshjen dhe stilin e tij, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se Grubi mban atlete që kushtojnë mbi 450 euro.
“Artan Grubi luan rolin e gurus së modës dhe imagjinoni, para gjithë publikut maqedonas, ai vishet me atlete që kushtojnë sa një rrogë në Maqedoni. Artan Grubi gjatë ditës së djeshme duke qeshur përballë gjithë publikut maqedonas u mburr me atletet “Off-White” që kushtojnë mbi 450 euro”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se Grubi po mundohet të kopjojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Kujtohuni se kush ishte Artan Grubi dhe nëse kishte veshur atlete mbi 450 euro para se të hynte në politikë, kur ishte huligan dhe shikojeni tani pas nënshkrimit të kontratës për korridorin 8 dhe 10. Me sa duket Artan Grubi si një multimilioner i sapoformuar kërkon që në stil të jetë Edi Rama i ri, por fatkeqësisht nga “Aliexpress”, sepse të gjithë e dinë se ky luks i tij është për shkak të krimit dhe korrupsionit të bërë nga kjo Qeveri e BDI-së dhe LSDM-së”, thonë nga VMRO-DPMNE.