May 17, 2024
Kolumna

A duhet të sakrifikojmë tokë ne shqiptarët përsëri për ta ruajtur paqen në Evropë?!

A duhet të sakrifikojmë tokë ne shqiptarët përsëri për ta ruajtur paqen në Evropë?!

Shkruna: Nefail Emini

Historia po përsëritet për popullin shqiptar, mund të jetë thjesht rastësi apo diçka që është e lidhur me fatin tonë si komb. Para më shumë se 100 viteve në Konferencën e Londrës, ku u bë ndarja e dytë e Shqipërisë, territoret ku jetonin shqiptarët u ndanë në atë mënyrë që më shumë u shkonin përshtat konfiguracioneve gjeopolitike të kohës dhe aspak nuk u morr parasysh realiteti demografik dhe historik i kësaj populate.

E gjithë kjo u bë në emër të “Ruajtjes së Paqes në Evropë”, por ky synim nuk u arrit pasi vetëm një vit më pas shpërtheu Lufta më e Madhe që historia njerëzore kishte parë deri atëherë, pra një popull i vogël u nda për ta ruajtur paqen e të mëdhenjve, që fatkeqësisht nuk e arriti.

A po na përsëritet e njëjta gjë?!

Zhvillimet e fundit në Kosovë, ku synimi i Prishtinës për ta shtrirë sovranitetin e saj në të gjithë territorin po has në kundërshtime të shumta të brendshme dhe ndërkombëtare. Nga paralajmërimet për de stabilitet të Ballkanit e deri në një luftë të madhe në Evropë, po ngjajnë shumë me tezat dhe teoritë e 1913, kur një Shqipëri e vogël “vendoste” fatet e të mëdhenjve, e që për çudi tani një Kosovë po kaq e vogël po “vendos” përsëri fatin e të mëdhenjve. Situata përsëri ngjason me atë të 1913 ku Fuqitë e Mëdha po udhëhiqen nga interesat gjeopolitike dhe jo nga ajo e së drejtës ndërkombëtare dhe parimit të sovranitetit.

Uji që do ta fik këtë zjarr është tërheqja e institucioneve të Kosovës nga kjo pjesë, pra që nënkupton heqjen e flamurit.

Në një vend ku s’ke flamur, nuk mund ta pretendosh si pjesë tënden, e në këtë rast këtij territori a po i jepet e drejta e autonomisë apo shkëputjes? A mos ndoshta kjo është koncesioni që po i ofrohet në një mënyrë Beogradit për ta larguar nga Moska?!

Nëse më 1913 ku po kaq territor banuar me shqiptar ju dha Serbisë dhe pas kësaj ajo vazhdoi që te jetë e lidhur ngushte me Moskën, pse mund të mendohet që tani me 4 komuna, ajo do të ndryshoj qasje?!
Mos kjo është një paralajmërim i njëjtë me atë që ndodhi më 1913, ku ne u sakrifikuam për të Ruajtur Paqen në Evropë, dhe vetëm pas një viti Bota hyri në një gjakderdhje të tmerrshme.

Një proverb thotë:

NESË NUK E DI TË KALUARËN, NUK MUND TA NDËRTOSH TË ARDHMEN.