Shkup, 4 Prill – Me fillimin e pranverës po fitojnë në intensitet ofenziva e opozitës ndaj koalicionit shqiptar në pushtet. Opozita po përdorë taktikë të kombinuar në ofanzivën e saj. Herë “gjuan me dronë” si BDI, e herë me “raketa” si AKI, por gjithsesi po e sfidon dukshëm më tepër “mbrojtjen kundërajtore” të VLEN-it, shkruan Lideri.mk në editorialin e vet të fundit.
Përplasja e fundit BDI-VLEN ka ndodhur rreth komunës së Çairit, e cila sot ishte “Ngushtica e Hormusit” ku matën forcat partitë tona politike.
BDI akuzoi këtë komunë se nuk po arrin t’i realizon detyrimet e veta të rregullta, por se po futet në borxhe për këtë qëllim, borxhe të cilat një ditë do të duhet t’i paguajnë qytetarët e saj.
Thënë më saktë, BDI përmes një kumtesr akuzoi Këshillin e Komunës së Çairit se ka miratuar një vendim për huamarrje afatgjate prej 120 milionë denarë, me afat kthimi prej 10 vitesh, me qëllim të vetëm shlyerjen e borxheve ekzistuese të komunës.
“Le ta themi qartë: kjo nuk është kredi për zhvillim. Kjo nuk është kredi për projekte. Kjo është kredi për të mbuluar dështimet. Kjo do të thotë që qytetarët e Çairit dhe gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për vite me radhë për shpenzime që janë bërë tashmë, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa dobi publike. Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si u krijuan këto borxhe? Qytetarët e Çairit e dinë shumë mirë se ku shkuan paratë. Në kontrata të përkohshme masive që u ndërprenë menjëherë pas zgjedhjeve. Në financimin e takimeve partiake dhe mobilizimin e aktivistëve. Në restorante dhe shpenzime luksi të lidhura me funksionarë qeveritarë. Në projekte që nuk kishin lidhje me zhvillimin, por me ndikimin e votës. Pra, kemi një model të qartë: shpenzo për zgjedhje, fito pushtetin, merr kredi, dhe lëre borxhin qytetarëve. Ky vendim nuk është vetëm i papërgjegjshëm. Është i padrejtë. Sepse sot po merret një kredi 10-vjeçare që do të paguhet nga qytetarë që nuk kanë përfituar asgjë nga këto shpenzime, që nuk kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve dhe që në shumë raste as nuk kanë votuar për këtë pushtet”, thonë nga partia opozitare.
Ata poashtu akuzuan edhe për transrapencë të munguar, për shkak se, siç thonë, nuk ka listë të detyrimeve që do të shlyhen, nuk ka analizë se si janë krijuar borxhet dhe nuk ka përgjegjësi për ata që i kanë krijuar, shkruan Lideri.mk.
Përgjigja ndaj BDI-së ka arritur nga VLEN-i duke duke theksuar se edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshill e kanë votuar këtë vendim.
“Edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit e kanë miratuar pikën që i jep të drejtë komunës për të aplikuar për kredi, duke treguar qartë se kjo është një praktikë normale dhe ligjore. Marrja e kredive nga institucionet shtetërore nuk është asgjë e pazakontë; ajo është pjesë e funksionimit të rregullt, realizimit të projekteve konkrete, vazhdimësisë së shërbimeve dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Madje nga VLEN e kanë shfrytëzuar polemikën për t’u lavdëruar se pranvera në Çair sivjet nuk “çel” vetëm me një lule, por me 32 projekte, e BDI-në e kanë akuzuar si “humbësi më i madh i zgjedhjeve” që shpik trillime, shkruan Lideri.mk.
“Këtë pranverë, Komuna e Çairit po zhvillon një ofanzivë të vërtetë ndërtimi infrastrukturor, duke treguar qartë se puna dhe angazhimi nuk janë thjesht fjalë. Aktualisht, 22 projekte infrastrukturore janë në fazë aktive realizimi, ndërsa mbi 10 projekte të tjera ndodhen në faza fillestare, duke prekur çdo vendbanim dhe çdo lagje të komunës. Qytetarët po ballafaqohen drejtpërdrejt me punën konkrete në terren, duke parë ndryshime reale dhe përparim”, reagon VLEN.
Sidoqoftë, detyrë e opozitës është që pushtetin ta “shpon” herë pas here me “therra”, kurse pushteti përveç me reagime dhe komunkata, duhet të reagon edhe me punë në teren e me bagera!/Lideri.mk

