Gabimet e evidentuara në Librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, në versionin me mësim në gjuhën shqipe, tashmë janë korrigjuar plotësisht. Ky proces u realizua falë angazhimit të vazhdueshëm të koalicionit VLEN dhe ndërhyrjes së shpejtë të zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, i cili reagoi menjëherë pas paraqitjes së shqetësimeve në opinion.

Nga VLEN nënvizojnë se verifikimi dhe korrigjimi i menjëhershëm i gabimeve tregon qartë se standardet e përgjegjësisë institucionale kanë ndryshuar. “Nuk është më si në të kaluarën, kur tekste të pasakta dhe të pambuluara shkencërisht u liheshin nxënësve pa asnjë zgjidhje. Këtë e kemi parë për vite me radhë në kohën e BDI-së”, theksojnë nga koalicioni.

Sipas VLEN, korrigjimet janë kryer në përputhje me kriteret shkencore dhe me nevojën për të garantuar integritetin e materialeve mësimore. Ata theksojnë se vendimmarrja e re politike ndjek parimin e përgjegjësisë ndaj çdo gabimi që mund të ndikojë tek fëmijët dhe procesi arsimor.

“Gjeneratat e reja meritojnë libra të saktë, të përditësuar dhe profesionalë – jo narrativat e shtrembëruara që për vite me radhë janë toleruar nga BDI. Çdo korrigjim duhet bërë pa vonesë dhe pa justifikime”, thuhet në reagimin e VLEN.

Koalicioni rithekson përkushtimin për qeverisje të mirë, rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe studentët. “Fëmijët tanë meritojnë më shumë, dhe ne do të kujdesemi që e drejta e tyre për arsim cilësor të respektohet në çdo hap.”

Në këtë mënyrë, VLEN e konsideron çështjen e gabimeve në Librin e Gjeografisë si të mbyllur, duke paralajmëruar se standardet e reja të transparencës dhe përgjegjësisë në arsim do të jenë praktikë e pandalshme e qeverisjes së tyre.

sqShqip