Së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, sot vizituam Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, ku bëmë inspektimin e dhomës së re hiperbare, e cila është siguruar me mbështetje nga kompania “Zegin” (Fondacioni “Dr. Verica Mehandxhiska”), në kuadër të një projekti të përbashkët me spitalin, deklaroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.
“Terapia me oksigjen hiperbarik ndihmon pacientët me plagë kronike dhe plagë që shërohen me vështirësi, siç janë këmba diabetike, djegiet, problemet me mikrocirkulacionin dhe indikacione të tjera që trajtohen nga disiplina tjera mjekësore. Shpreh mirënjohje të sinqertë ndaj kompanisë për përgjegjësinë e saj shoqërore, si dhe ndaj menaxhmentit dhe stafit mjekësor të spitalit për përgatitjen profesionale dhe integrimin e dhomës në sistemin e punës spitalore”, tha Aliu.
Dhoma është vendosur në repartin e terapisë fizikale dhe rehabilitimit, dhe do të jetë në dispozicion edhe për repartet e kirurgjisë plastike, dermatologjisë dhe repartet e tjera të spitalit, sipas nevojave dhe indikacioneve mjekësore.
“Ky është një shembull i qartë se si përmes partneriteteve mund të përmirësojmë infrastrukturën publike shëndetësore, duke siguruar pajisje moderne që e rrisin cilësinë e shërbimeve që marrin pacientët. Në këtë mënyrë ndikojmë drejtpërdrejt në rezultatet e trajtimit, e ulim rrezikun nga komplikimet, qëndrimin në spital dhe kostot, ndërsa pacientëve u ofrojmë një mundësi më të mirë për shërim më të shpejtë dhe më cilësor”, theksoi ministri Aliu.
