Forcat ukrainase kanë rimarrë pjesët veriore të qytetit të Kupyansk në rajonin lindor të Kharkiv, tha ushtria ukrainase. Komandanti Ihor Obolensky tha se si pjesë e operacionit, disa fshatra përreth ishin çliruar dhe se disa qindra ushtarë rusë ishin rrethuar, transmeton Lideri.mk

“Sot mund të themi se rusët në qytet janë tërësisht të izoluar. Për një kohë të gjatë ata nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte, dhe tani e dinë se janë të rrethuar”, tha Obolensky për Ukrainska Pravda.

Sipas hartave zyrtare të fushëbetejave të publikuara nga Kievi, të paktën tre fshatra në veri dhe perëndim të Kupyanskut janë rikthyer nën kontrollin e Ukrainës. Moska pretendoi muajin e kaluar se e kishte pushtuar plotësisht qytetin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi fushën e betejës pranë Kupyansk, ku regjistroi një video dhe uroi Ditën e Forcave Tokësore të Ukrainës pranë tabelës gjysmë të shkatërruar të hyrjes së qytetit. Ai tha se trupat ukrainase në zonë po arrinin rezultate konkrete, duke hedhur poshtë pretendimet ruse për kontroll të plotë të qytetit.

“Sot jam në fushën e betejës së Kupyanskut me ushtarët tanë që po arrijnë rezultate për Ukrainën këtu. Rusët kanë folur shumë për Kupyanskun, po e shohim se si duket”, tha Zelensky, duke falënderuar të gjitha njësitë që morën pjesë në luftime.

Rusia pushtoi Kupyanskun në javët e para të pushtimit të saj në vitin 2022, por ushtria ukrainase e rimori qytetin më vonë atë vit. Presidenti rus Vladimir Putin përsëriti javën e kaluar se Kupyansku ishte në duart e Moskës dhe tha gjatë një vizite në Kirgistan të enjten se qyteti ishte “plotësisht në duart tona”.

sqShqip