Një faqe në Facebook, e cila administrohet nga Maqedonia, është në qendër të një skandali politik që po trondit Slloveninë këto ditë. Kjo faqe publikon regjistrime audio të bisedave të dyshuara midis zyrtarëve qeveritarë, me akuza të rënda për korrupsion dhe manipulim politik.

Faqja, e cila u shfaq në mediat sociale me emrin “Maske padajo #nismofejk”, deri më tani ka publikuar disa audio regjistrime që pretendojnë se përmbajnë biseda midis anëtarëve dhe zyrtarëve të partisë në pushtet “Gibanj Sloboda” (Lëvizja e Lirisë). Sipas administratorëve, ata posedojnë qindra biseda, disa prej të cilave po publikohen gradualisht në internet.

Në disa nga regjistrimet e publikuara, sipas mediave sllovene, ish-sekretarja e përgjithshme e partisë, Vesna Vuković, mund të dëgjohet duke folur me zyrtarë të tjerë të partisë rreth çështjeve të brendshme politike, vendimeve kadrovike dhe marrëdhënieve brenda qeverisë.

Disa nga bisedat përmbajnë edhe akuza të rënda. Në një nga regjistrimet përmendet Ministrja e Infrastrukturës, Alenka Bratušek, dhe pretendon parregullsi në lidhje me projektin e madh hekurudhor për ndërtimin e binarit të dytë në hekurudhën Divača-Koper. Pjesë të tjera të bisedave kanë të bëjnë gjithashtu për presion politik, ndikim në institucione dhe konflikte të brendshme brenda strukturës qeverisëse, transmeton Lideri.mk.

Një nga regjistrimet e publikuara përmend edhe kryetaren e parlamentit slloven, Urška Klakočar Zupančić. Biseda pretendon se ajo dyshohet se ka marrë pagesa shtesë përmes partisë, të cilat ajo i mohoi publikisht, duke i përshkruar akuzat si “gënjeshtra dhe trillime të plota”.

Rasti tashmë ka tërhequr vëmendjen e policisë sllovene, e cila po kontrollon nëse regjistrimet janë autentike dhe nëse është kryer ndonjë vepër penale në krijimin ose publikimin e tyre. Hetimi po shqyrton gjithashtu mundësinë që bisedat të jenë incizuar në mënyrë të paligjshme ose të manipuluara me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Partia në pushtet “Gibanj Svoboda” pretendon se kjo është një fushatë e zezë politike dhe nuk e përjashton mundësinë që regjistrimet të jenë përpunuar ose gjeneruar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, skandali ka shkaktuar reagime të forta politike në Slloveni, ku opinioni dhe media po kërkojnë përgjigje për pyetjen kryesore – nëse regjistrimet janë biseda të vërteta të zhvilluara mes krerëve të qeverisë apo nëse kjo është një fushatë diskredituese e organizuar me kujdes. Vendndodhja e faqes së Facebook-ut në Maqedoni nuk do të thotë se përmbajtja është gjeneruar këtu, por është regjistruar këtu./Lideri.mk

 

 

sqShqip