Klubi i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Brigada 112 “Mujdin Aliu”, ka reaguar ashpër ndaj një postimi në rrjetet sociale, për të cilin pretendohet se është publikuar nga Shefik Ismaili, nipi i Ali Ahmetit, përmes një profili të rremë, transmetojnë disa mediume kosovare.
Sipas veteranëve, në postim është përdorur shprehja “Abaz Gjuka selam zagarve me këtë anë e mat anë gardhit”, e cila, sipas tyre, përmban gjuhë fyese dhe nënçmuese ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në reagimin e tyre, veteranët theksojnë se është e papranueshme që Kosova dhe shqiptarët e saj të ofendohen me një fjalor të tillë përçmues.
“Ta quash kosovarët ‘zagarë’ nuk është mendim politik, por mungesë respekti dhe kulture. Gjuhë e tillë cenon dinjitetin, respektin dhe vlerat kombëtare të popullit shqiptar”, thuhet në reagim.
Veteranët vlerësojnë se dallimet politike apo ideologjike nuk duhet të shndërrohen në ofendime, etiketime dhe përçarje mes shqiptarëve, duke shtuar se retorika që synon t’i ndajë shqiptarët në “këtë anë” apo “atë anë” nuk i shërben interesit të përbashkët kombëtar.
Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të ruajnë kulturën e komunikimit, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes apo nxitjen e përçarjeve, shkruajnë mediumet në Kosovë.
“Shqiptarët kanë sakrifikuar shumë për dinjitetin, lirinë dhe të drejtat e tyre, prandaj askush nuk duhet të lejohet t’i nëpërkëmbë këto vlera me deklarata fyese dhe përçmuese. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri dinjitetin e luftës, vlerat kombëtare dhe respektin ndërmjet të gjithë shqiptarëve”, përfundon reagimi i Klubit të Veteranëve të UÇK-së.


