Shkruan: Burhanettin Kapusuzoğlu
Disa njerëz janë “hadha insan/ky është njeri” – njerëz të rrallë. Ata i japin vlerë vendit ku ndodhen dhe kohës në të cilën jetojnë. Prof. Dr. Adnan Ismaili, një prijës i së vërtetës që përputhet me kuptimin e thellë të hapësirës ballkanike, është pikërisht një nga këta personalitete të zgjedhur.
I nderuari profesor Adnan Ismaili është një mendimtar dhe dijetar vigjilent, i cili ka punuar për ta mbrojtur mendimin islam bashkëkohor në Ballkan nga shpërndarjet e paqëndrueshme intelektuale dhe nga modernizmi i mbrapshtë që e shndërron fenë në imitim të verbër, duke e rindërtuar atë mbi një themel shkencor dhe moral. Ai është i lidhur me rrënjë të përbashkëta përmes zinxhirit të Hoxhë Idris Efendiut, përfaqësuesi i fundit i traditës osmane të dijes fetare, nga i cili mori mësim dhe ixhazet/diplomë në Shkup, njëkohësisht është edhe hafëz.
Adnan Ismaili ecën në një rrugë të drejtë mendimi, larg polemikave të kota, por me thellësi, ekuilibër dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.
Në qendër të qëndrimit të tij intelektual, i cili shfaqet qartë në trekëndëshin dije–identitet–përgjegjësi, mendimi islam shpreh ndërtimin e identitetit përmes moralit dhe arsyes së shëndoshë. Për të, Islami si besim dhe si qytetërim është një rend që rregullon jetën dhe i jep asaj kuptim. Ai është i vetëdijshëm për kohën dhe gjeografinë ku jeton. Në mënyrën si i qaset çështjeve dhe jetës, si dhe në vullnetin që shfaq, tregon kujdes të veçantë ndaj problemeve në rritje që burojnë nga mungesa e metodës dhe etikës, si dhe nga keqkuptimi i fesë.
Në përvojën e ndërlikuar dhe të vështirë të Ballkanit, Adnan Ismaili përfaqëson një karakter mysliman që nuk shtypet nga rrethanat, me qëndrim moral dhe vetëbesim të lartë. Ai ruan me kujdes ndjeshmëritë e përkatësisë së tij, por qëndron larg adhurimit etnik dhe romantizimeve të tepruara të së kaluarës.
Mendimi i Adnan Ismailit është i rrethuar nga kodet madhështore të trashëgimisë tradicionale, që përbëjnë vetë qytetërimin islam të Ballkanit. Në periudhat pas shekujve osmanë, pavarësisht presioneve të socializmit dhe shtetit modern kombëtar, përpjekja e tij ka qenë një proces i ekzistencës përmes identitetit. Ai nuk bie në sipërfaqësi në përpjekjen për ringjallje të vetëdijshme, për shkak se ka fjalë për të thënë, nuk përdor një gjuhë fetare mbrojtëse. Vetëbesimi i tij është realist dhe është i hapur për dialog me të gjitha shtresat. Morali është gjithmonë kryefjala. Ashtu si Alija Izetbegoviqi, i urti i Bosnjës me të cilin ndan të njëjtën botë shpirtërore, ai përpiqet të ndërtojë mendjen me këmbëngulje në moral, liri dhe origjinalitet.
Adnan Ismaili e kupton, e jeton dhe e shpjegon Islamin si një “subjekt aktiv” që prodhon zgjidhje për problemet e sotme. Ai e njeh Perëndimin, por nuk shkëputet nga zemra e Lindjes. Ruajtja e urtësisë është parimi i tij dhe, si një mjek i aftë që shëron plagët e shoqërisë në lëvizje të vazhdueshme, ai grumbullon përvojë ndër vite.
Marrëdhënia e mendimtarit me orientim të qartë, Adnan Ismailit, me modernitetin nuk ngushtohet mes mohimit të plotë dhe dorëzimit absolut. Ai as nuk e refuzon paraprakisht, as nuk e pranon pa e peshuar në peshoren e kritikës, dallimit dhe gjykimit. Koncepte si shkenca, teknologjia, demokracia dhe të drejtat e njeriut i mendon duke i harmonizuar dhe rinovuar brenda moralit dhe metafizikës islame. Ky qëndrim e mbron atë nga ngurtësia literaliste dhe nga reformizmi sipërfaqësor.
Prof. Ismaili zë një vend të rëndësishëm në mendimin islam evropian; tek ai, mendimi zhvillohet duke respektuar metodën, jo përmes sloganeve. I udhëhequr nga mendimi mysliman, morali është gjithmonë prioritet i përhershëm. Si dijetar i respektuar, ai është bashkues, i matur, pajtues, balancues, ndërtues i shoqërisë dhe prekës i zemrave – një njeri veprimi me urtësi.
Gjuha e Adnan Ismailit nuk është nxitëse. Ai është i qetë, nuk bie në panik dhe ua jep koncepteve të botës së mendimit vlerën që meritojnë. Karakteri i tij është i fortë dhe frymëzon besim. Pikërisht ky stil i ka mundësuar të lërë gjurmë të qëndrueshme në gjeografinë e ndjeshme ku jeton.
Identiteti akademik i Adnan Ismailit spikat me kujdes të veçantë midis dijes dhe urtësisë. Ai përballon çdo sakrificë që brezat të marrin arsimimin më të mirë. Dija dhe interesimi i tij nuk tolerojnë shkëputjen nga jeta reale. Në punimet e tij, teorisë gjithmonë i shton një vlerë shoqërore dhe morale konkrete.
Marrëdhëniet e Adnan Ismailit me prijësit e dijes dhe mendimit në botën islame janë të njohura. Megjithatë, lidhja e tij mendore me Turqinë është e fortë. Moderimi dhe përgjegjësia me në qendër moralin kanë ndërtuar mendimin e tij. Ai është në afërsi shpirtërore me figura të shquara si Mehmed Akif, Nurettin Topçu, Alija Izetbegoviq dhe Sezai Karakoç.
I nderuari Prof. Dr. Adnan Ismaili përfaqëson një vullnet themelues që ecën me zemër menduese në ringjalljen e mendimit islam në Ballkan dhe në zgjimin intelektual me qendër në Maqedoninë e Veriut. Si pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës u flet studentëve; përmes OJQ-ve ndriçon mendjet dhe zemrat e të rinjve; ndërsa me shtëpinë botuese Logos-A u drejtohet myslimanëve të Ballkanit.
Adnan Ismaili, një figurë-urë intelektuale nga “Logos” drejt qytetërimit, ka organizuar dhe nxjerrë në dritë përkthimet në shqip të veprave themelore klasike të mendimit islam dhe librat e mendimtarëve myslimanë që i japin vlerë kohës moderne. Ky është një akt i qartë mbrojtjeje kulturore, sepse zbrazëtia mendore mund të mbushej vetëm kështu. Ai e sheh botimin si një kauzë qytetërimore që mban gjallë gjuhën dhe identitetin.
Adnan Ismaili nuk është një akademik që rri në kullë fildishi dhe shijon famën. Përmes strukturave vakëfore që ka themeluar dhe udhëhequr, ai përqendron të gjithë energjinë e tij në arsimimin e brezave të rinj. Të parët thoshin: “Varfëria më e madhe është mungesa e njeriut.” Përkushtimi i tij ndaj formimit të njeriut është vazhdimësi e një vije tradicionale dhe autentike që shtrihet në shekullin e ri.
Si udhëheqës mendimi me ndikim, Prof. Ismaili e mban gjithmonë derën hapur për dialog, për të mos u prishur klima e paqes. Kundër tensioneve etnike në Ballkan, ai mbron parimet universale të drejtësisë dhe vëllazërisë, duke ruajtur një qëndrim dinjitoz që nuk bën kompromis me identitetin.
Adnan Ismaili, një njeri me zemër të mbushur me dhimbje njerëzore, ka interes të jashtëzakonshëm për komunitetet myslimane dhe trojet islame. Çamëria mes qenies dhe mosqenies, tatarët myslimanë turq të dëbuar të Krimesë, Gaza e shtypur, Turkistani Lindor i robëruar dhe boshnjakët që mezi i shpëtuan gjenocidit – të gjitha këto zënë vend të veçantë në zemrën e tij.
Për t’iu kundërvënë rrënjosjes së humbur dhe për të mos lejuar shkëputjen e lidhjes mes traditës dhe jetës, Adnan Ismaili ia ka kushtuar jetën ringjalljes së referencave historike. Së bashku me figura të mëdha të myslimanëve të Ballkanit si Prof. Dr. Metin Izeti dhe Prof. Dr. Ismail Bardhi, ai është ndër arkitektët e një zgjimi që ndiqet me kujdes në çdo fushë.
Adnan Ismaili dhe rrethi i tij shoqëror, nën “Qiellin Tonë”, ua përcollën të rinjve vetëdijen e fisnikërisë së qytetërimit tonë dhe rindezën në Ballkan kandilin e irfanit/gnosës që ndriçon bazën e dashurisë së rrënjëve tona shpirtërore. Për të mos u shuar ky kandil, ata ndërtuan një fortesë intelektuale dhe shoqërore.
Ruajtja e qytetërimit islam është çështje mbijetese për të ardhmen e sigurt të Ballkanit. Myslimanët e Ballkanit nuk janë një element folklorik, por subjekte themeluese të historisë me gjithë madhështinë dhe trashëgiminë e tyre. Kur urtësia dhe përpjekja bashkohen, Ballkani do të vazhdojë të jetë një vend paqeje dhe diturie që mposht zemërimin, vë shërbimin në qendër dhe bashkon dy botë.
Fjala e fundit…
Prof. Dr. Adnan Ismaili është emri i një përpjekjeje që synon ta shndërrojë mbrëmjen e trishtuar ballkanike të Jahja Kemal Bejatliut në mëngjesin e rezistencës dhe ringjalljes së Alija Izetbegoviqit. Me zërin që ngrihet nga Tetova dhe Shkupi, ai nuk është vetëm botues apo pedagog, por mendja e kujdesshme dhe e ndjeshme e qytetërimit islam ballkanik në epokën moderne.
I qoftë e bekuar jeta…

