Ka vdekur Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.

“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.

Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006.

Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.

Kush ishte Nexhat Daci?
Nexhat Danci u lind më 26 korrik në Tënoc më 1944, ku përfundoi shkollimin fillor. Atë të mesëm e kreu në Leskoc, ndërkaq studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e ki­misë) në Beograd më 1966. U doktorua më 1973 në Universitetin e Zagrebit, ndërkaq studimet e posdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit më 1974.v

Pas përfundimit të magjistraturës, më 1968 ai nisi punën si asistent në Fakultetin Filozofisë në Katedrën e Kimisë. Më 1971 vazhdoi punën si ligjërues e më pas edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë punës akademike ai ka marrë pjesë në disa studime shkencore, kongrese e konferenca në mbarë botën. Ka qenë anëtar i Shoqatës Kimike amerikane që nga viti 1985 dhe i disa institucioneve të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, pjesë e Akademisë së Shkencave të Kosovës u bë më 1993 .

sqShqip