Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme rajonin e Kumanovës, ku si pasojë e një përplasjeje rrugore ka humbur jetën tragjikisht një i mitur.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 28.05.2026 rreth orës 21:10 në rrugën rajonale Kumanovë–Shkup, në fshatin Çerkez të Kumanovës, ku është raportuar një përplasje mes një automjeti pasagjerësh “Mercedes” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga F.S. (24) nga Kumanova, dhe një trotineti elektrik të drejtuar nga një 13-vjeçar nga fshati Çerkez.
Pas aksidentit, i mituri është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Policia njofton se drejtuesi i automjetit është ndaluar menjëherë pas ngjarjes, ndërsa në vendin e aksidentit kanë dalë prokurori publik dhe ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë për të kryer ekspertizën dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

