Pushteti dhe opozita distancohen nga çdo lloj lidhje eventuale me rrjetin narkotik dhe akuzojnë njëra tjetrën për përfshirje në skandalin me 5 tonët marijuanë që u eksportuan në Serbi. Kreu i socialdemokratëve Venko Filipçe thotë se nuk ka asnjë lidhje me asnjë kompani të marijuanës në shtet. Ai akuzoi Qeverinë se në vend që të përgjigjet për lidhjet me kompaninë “Alfafarm”, të theksuar në dokumentin e Prokurorisë, po tenton defokusimin
“Si arritën që pesë ton marihuanë , 4-5 kamionë kanë kaluar përmes kufirit dhe përfunduan në Serbi? Kjo është pyetja kryesore, me cilin është e lidhur ajo firmë e përmendur në dokument nga ana e Prokurorisë Serbe? A është e lidhur me ndonjë person nga pushteti aktual, kjo është pyetja kryesore. Si ka kaluar në kontroll policor dhe doganor, këto janë pyetjet”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja akuzon se po zbulohet rrjeti i drogës i afërt me Zaevin dhe Filipçen, ndërsa siç theksoi deputeti i kësaj partie, Brane Petrushevski, epilogu po çon te përfshirja e tyre në këtë rrjet.
“Sot Zaev dhe Filipçe ikin nga emri i Toni Kotevit si nga djalli, bëhen se nuk e njohin, ndërsa deri dje fotografoheshin me të. Kompania CPD Medplant, të rikujtojmë se mori licencë në vitin 2020, pikërisht nga Zaevi dhe Filipçe. Në atë kohë Filipçe dhe Zaevi deshën ta bëjnë Maqedoninë destinacion turistik për përdorim të marihuanës dhe e kanë promovuar shitjen e lules së kanabisit. Prandaj pas udhëzimeve të tyre në vitin 2023 është ndryshuar një akt nënligjor në rregulloren për kultivimin e marihuanës”, deklaroi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Policia dhe prokuroria po kryejnë kontrolle në të gjitha kompanitë që kanë marrë licenca për prodhimin e kanabisit, pas sekuestrimit të 5 tonëve marihuanë në fund të janarit në Serbi, për të cilat autoritetet serbe thanë se e kishin origjinën nga Maqedonia. /Alsat.mk

