April 30, 2024
Maqedoni

Vankovska në Gjevgjeli e Bogdanci: Fokusi im në ekonomi, jo në diplomacinë ushtarake

Kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska, gjatë takimit me banorë të Gjevgjelisë dhe Bogdancit ka thënë se është koha që vendi të ecë drejt rrugës që e ofron “E Majta”, pasi sipas saj, vendi 30 vite nuk ka lëvizur nga vendi.  Para banorëve të Bogdancit, ajo është shprehur se nëse bëhet presidente, i gjithë fokusi i saj do të jetë në fushën ekonomike e jo në diplomacinë ushtarake, pasi siç ka thënë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja më shumë janë të fokusuar në çështje ushtarake.  Vankovska vlerëson se ajo si presidente vendit do t’i sjellë miqësi dhe investime të reja.
“Unë si presidente e shtetit mund të hap rrugë të reja, miqësi të reja dhe investime të reja. Dhe mendoj se ajo diplomaci ekonomike do të jetë shumë më e rëndësishme se diplomacia ushtarake që na ofrojnë si zgjidhje të vetme, pra rruga drejt BE-së dhe NATO-s, dy organizata të cilat së fundmi më shumë janë të fokusuar në çështje ushtarake se sa çështje jetësore. Ajo që më shumë u intereson qytetarëve, besoj se në këtë rajon ajo që është e rëndësisë thelbësore është mjedisi i shëndoshë jetësor, prodhimi, mundësia për zhvillim. E gjithë kjo është e përfshirë në programin tim zgjedhor, fatkeqësisht në mungesë të debatit të madh mes të gjithë nesh që jemi pjesëmarrës në këtë proces.”, – deklaroi kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska.
Vankovska me banorët e Bogdancit ka biseduar për bujqësinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Ajo është shprehur se bujqësia është një nga degët më të rëndësishme për banorët e asaj ane dhe prandaj nuk duhet lejuar që të shkatërrohen tokat bujqësore në kurriz të hapjes së minierave apo vendosjes së paneleve diellore në tokat e punueshme.