Valë të re bombardimesh në Rripin e Gazës
Valë e re bombardimesh në Rripin e Gazës. Sulmet izraelite nuk kanë kursyer as zonat në jug të territorit, pikërisht atje ku palestinezët janë urdhëruar të kërkojnë strehim.
Mjeku në spitalin në Junis Kan, qytet i cili ishte në shënjestër të bombardimeve sot e cilësoi gjendjen si katastrofike.
“Jemi në një situatë shumë të vështirë, është katastrofike, është e tmerrshme, asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë gjendjen, ditët e fundit po i bëjmë thirrje komunitetit njerëzor që në spital nuk kemi karburant., ne po punojmë me pacientin vetëm në dritat e celularëve…nëse vazhdon kështu më shumë fëmijë, foshnje, gra do të vdesin pa ndihmë mjekësore”, tha Mohammed Qandeel, mjek në spitalin Nasser.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje që kamionët me ndihma të lëvizin drejt Gazës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ai këto thirrje i bëri në pikëkalimin Rafah, që është pikëkalimi i vetëm që lidh Egjiptin me Rripin e Gazës.
“Është e pamundur të jesh këtu dhe të mos ndihesh zemërthyer. Jemi dëshmitarë të një paradoksi. Pas këtyre mureve ne kemi dy milionë njerëz që po vuajnë jashtëzakonisht, që nuk kanë ujë, ushqim, ilaç, karburant. Që është nën zjarr, që ka nevojë për gjithçka për të mbijetuar”, u shpreh Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.
Autoritetet izraelite kanë nisur ndërkohë evakuimin e një qytetit kufitar me Libanin, gjë që paraqet sinjalin më të fundit se shteti hebre po bëhet gati të nisë pushtimin tokësor të Gazës, ç’ka mund të nxisë trazira më të gjera rajonale.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha sot se pasi Izraeli ta shkatërrojë grupin militant Hamas, ushtria nuk ka plan ta kontrollojë “jetën në Rripin e Gazës”.
Ai ka thënë se fillimisht grupi në Gaza do të sulmohet nga ajri dhe me manovra tokësore, më pas do të mposhten pikat e rezistencës, dhe në fund do të pushojë përgjegjësia e Izraelit për jetën në Rripin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se rreth 4.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur nga sulmet izraelite. Ndërkaq nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.