Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, priti sot në takim zyrtar presidentin e Republika e Shqipërisë, Bajram Begaj, theksohet në komunikatë.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Komunës së Gostivarit, kryetari Limani i dhuroi presidentit Begaj “Çelësin e qytetit”, mirënjohja më e lartë që ndan Komuna e Gostivarit për personalitete me kontribut dhe rëndësi të veçantë.

Fjalimi i plotë i kryetarit Valbon Limani:

Të nderuar të pranishëm, është nder i veçantë që në fillim të mandatin tim si kryetar i Komunës së Gostivarit, të kem kënaqësinë t’i them në emrin e tuaj dhe timin personal:
Mirë se vjen në Gostivar president i Republikës së Shqipërisë, i dashur Bajram Begaj!
Si ju e dini z.President qyteti ynë banohet kryesisht nga shqiptarë ndaj ardhja juaj ka një simbolikë të veçantë për ne!Jemi komb me fat ne shqiptarët sepse kemi disa presidentë, kemi ata shtetror por kemi edhe ata kombëtar.
I dashur president, në këto kohë trazirash politike ku bota është e vendosur përballë sfidave të mëdha, në këto kohë ku duket se ka një rivendosje të dinamikave gjeo-politike, ju keni ditur të përfaqësoni me kaq fisnikëri, dinjitet dhe qetësi, jo vetëm Shqipërinë por të gjithë shqiptarët. Madje jo vetëm shqiptarët por të gjithë ballkansit, të cilët duhet të jenë më bashkë se asnjëherë për të ecur të gjithë bashkë.
Pavarësisht se krenarinë e konsideroj kryesisht pjesë të egos e jo virtyt, ju dini të na ushqeni me atë lloj krenarie për të cilën të gjithë kemi nevojë.
Ndoshta në agjendën tuaj mbushur me takime, udhëtime zyrtare, ceremoni e mbledhje shtetërore, ju as nuk e vini re se çfarë ndjenje sigurie lini tek çdo shqiptar.
Ndoshta po befasoheni që në Gostivar të ketë kaq shumë respekt e mirënjohje për ju, por ta dini se ka edhe më shumë seç më lejojnë këto minuta për ta shprehur.
Për prindërit e gjyshërit tanë Shqipëria, ishte një vend malli e lotësh, sepse nuk lejoheshin të vinin, të takoheshin me njerëzit e një gjaku e gjuhe, por falë Zotit sot kohërat erdhën të tilla, që ne të lirë e plot emocion të themi:
z. President Gostivarin e ke shtëpinë tënde!
Si kuptohet lehtësisht nga energjia që ka në ajër, kjo vizitë nuk është vetëm politike por është një moment po aq edhe emocional.
I dashur z. President, së bashku me Këshillin e Qytetit ku duhet të të tregoj se kemi edhe maqedonas e turq, pra njëzëri si një Familje e Madhe që jemi, morëm një vendim:
Jemi të nderuar t’ju dhurojmë Çelsin e Qytetit me motivacionin:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj
Për përfaqësim dinjitoz e të mençur që ju bën të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm, në të gjithë botën!
Pranoni këtë çelës z.President dhe me të do të keni hapur çdo derë të Gostivarit.

sqShqip