May 16, 2024
Maqedoni

UT dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nga Tirana e forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i priti sot në takim drejtuesit e Akademisë së
Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë, Rektorin Prof. Dr. Luan Përzhita dhe
Zëvendësrektorin, Prof. Dr. Valter Memisha. Në këtë takim pune ku ishin të pranishëm edhe Prorektori për
Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, u bisedua për vijimin e bashkëpunimit në lëmin e
arsimit dhe hulumtimeve shkencore. Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu konsideratën e tij për
Akademinë e Studimeve Albanologjike, për kontributin dhe rolin domethënës për zhvillimin e arsimit
sipëror dhe kërkimet shkencore, ndërsa drejtuesit e kësaj Akademie i njohu me zhvillimet në Universitetin e
Tetovës dhe ecurinë e procesit mësimor-shkencor. Ai, po ashtu veçoi Marrëveshjen e nënshkruar kohë më
parë mes Universitetit të Tetovës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila sipas tij duhet zgjeruar
edhe me elemente dhe forma të tjera bashkëpunimi, që janë në funksion të projekteve të përbashkëta
shkencore, hapjen e programeve të reja, me theks të veçantë hapjen e programit studimor të Arkeologjisë
në Universitetin e Tetovës për studime deridiplomike.

Ndërkaq, Rektori Luan Përzhita e falënderoi udhëheqjen e UT-së për mikpritjen në këtë institucion, që sipas
tij është emblemë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut
dhe më gjerë. Në cilësinë e drejtuesit të Akademisë së Studimeve Albanologjike shprehu gatishmërinë jo
vetëm për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme, por edhe për ta ndihmuar Universitetin e Tetovës me
pedagogë që do të angazhoheshin në mësimdhënie në programin studimor të Arkeologjisë. Ai deklaroi se
institucioni i tyre e ka parësor kërkimin shkencor, por edhe studimet në ciklin e dytë dhe ciklin e tretë, duke
mos anashkaluar një mori projektesh të realizuara me institucione, universitete të njohura dhe programe të
përbashkëta ndërkombëtare.

Rektori Përzhita ndër të tjera deklaroi se, në kuadrin e shkëmbimit të stafit universitar çdo pedagog i juaj
mund ta konsiderojë institucionin tonë si shtëpinë e vet, bibliotekat, zyrat, ambientet për hulumtime,
nisma dhe projekte me rëndësi.

Zëvendësrektori, Prof. Dr. Valter Memisha dhe dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani
referuan për punën që bëhet në botimin e Fjalorit të Madh të gjuhës shqipe, publikimin e botimit
“Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva”- Përgatitje për Atlasin e Sintaksës Dialektore
të Shqipes dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite në sesionet e Seminarit Ndërkombëtar të
Albanologjisë që organizohet nga Universiteti i Tetovës.

Vizita e sotme e drejtuesve të Akademisë së Studimeve Albanologjike në UT e rikonfirmoi angazhimin e
përfaqësuesve të këtyre institucioneve për ta vijuar edhe në të ardhmen bashkëpunimin në fushat
akademike me interes të përbashkët, shkëmbimin e stafit akademik, të hulumtuesve dhe studentëve në
kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore; si dhe shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimin e
arkivave dhe bibliotekave.